Elhame Kurtaj Haradinaj, dëshmitare e gjallë e masakrës së Lybeniqit, ka rrëfyer momentet të vrasjes së civilëve shqiptarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në emisionin “Kosova Today”, ajo përshkroi se si familjarët e saj dhe banorë të tjerë të fshatit u detyruan të largoheshin nga shtëpitë dhe u përballën me forca të armatosura.
Sipas saj, pasi u nxorën nga shtëpitë, ata u grumbulluan në rrugën kryesore të fshatit, ku u rrethuan nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe.
“Kur jemi largu atë ditë nga shtëpia jonë dhe natën e kaluam te një i afërm, të nesërmen na thirrën. Kur dolëm në rrugën kryesore pamë forca të mëdha të armatosura. Ishin policë, ushtri dhe paramilitarë. Ne ishim popullatë e paarmatosur, ndërsa ata kishin një arsenal të tërë”, rrëfeu ajo.
Ajo tregoi se më pas u drejtuan drejt qendrës së fshatit, ku filloi ndarja e familjeve.
“Isha me babanë tim, me nënën, motrën, vajzën e vogël 4-vjeçare dhe gjyshen. Na çuan deri te disa shtëpi dhe aty filloi ndarja. Ishte një moment tmerri”, tha ajo.
Sipas Haradinajt, burrat dhe djemtë u ndanë nga gratë dhe fëmijët, ndërsa pak më vonë u dëgjuan të shtënat.
“Kur kemi filluar rrugës për të dalë drejt magjistrales Pejë-Deçan-Gjakovë, kemi dëgjuar një “rafall”. Aty i lanë të gjithë meshkujt, kishte edhe fëmijë, madje edhe nxënës 14-vjeçarë. Kur na ndanë, vazhduam rrugën dhe dëgjuam krismat ku u vranë”, rrëfeu Haradinaj.
