Aktuale

U “fiket” karriera në Polici ish-shefit të Komisariatit dhe drejtorit të Rendit, Altin Menës i ulen gradët, AMP pritet të fusë në “sitë” edhe 4 ish-drejtues të tjerë

Masa disiplinore janë marrë ndaj disa ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, pasi akuzohen për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Dy prej tyre janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa ndaj dy të tjerëve janë vendosur masa disiplinore.

Burime për mediat bëjnë me dije se janë përjashtuar nga radhët e bluve, ish-zv.drejtori për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka si dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni.

Ndërkohë që për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, aktualisht me detyrë zv.drejtor për Rendin në Policinë e Kukësit është vendosur masa disiplinore “ulje në gradë” për një periudhë 5-vjeçare. Po ashtu, për zv.drejtorin për Krimet, Kujtim Gjokën, është vendosur shtyrja e afatit të gradimit.

Sipas Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, gjatë periudhës kur këta drejtues ishin në krye të Policisë së Lezhës, në qendër të qytetit funksiononte prej kohësh një kazino trekatëshe me mbi 20 makineta dhe sallë pokeri. Gjatë ndërhyrjes së policisë në këtë ambient u sekuestruan edhe lëndë narkotike të dyshuara si kokainë.

Paralelisht me këtë aktivitet të paligjshëm, në rrugën nacionale Lezhë-Milot, në zonën e Rrilës, funksiononte prej muajit gusht të vitit të kaluar një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit. Gjatë operacionit të zhvilluar nga policia u sekuestruan mbi 1 mijë bimë kanabis.

Zbulimi dhe goditja e grupit që kultivonte kanabisin në magazinë u realizua vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si drejtor i Policisë së Lezhës nga Islor Islami. Më herët ishte zbuluar edhe kazinoja që operonte në mes të qytetit.

Burime nga Drejtoria e Standardeve Profesionale bëjnë me dije se pritet që edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të nisë hetim penal ndaj katër ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, lidhur me lejimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe kultivimit të kanabisit.

Të Ngjashme