Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me burg pasi u kap duke kultivuar qindra bimë kanabisi në një banesë në Nottingham, ndërsa tentoi të arratisej duke kapërcyer gardhet e kopshtit gjatë një bastisjeje policore.
Sipas mediave të huaja, Redis Shahini u largua me vrap nga prona në Manesty Crescent, në zonën Clifton, kur oficerët ekzekutuan një urdhër kontrolli më 20 nëntor të vitit të kaluar. Ai u përpoq të shmangte arrestimin duke u ngjitur mbi gardhe dhe çati, por u ndoq nga oficerët dhe u arrestua në kopshtin e pasmë të një banese fqinje.
Gjatë kontrollit të pronës, policia zbuloi 263 bimë kanabisi të kultivuara në tre kate të ndërtesës. Vlera e tyre në tregun e paligjshëm u vlerësua deri në 200,000 paund.
Shahini, i cili rezulton pa vendbanim të përhershëm, u deklarua fajtor për prodhimin e një droge të Klasit B. Ai gjithashtu pranoi se kishte hyrë me vetëdije në Mbretërinë e Bashkuar në kundërshtim me një urdhër dëbimi, pasi autoritetet zbuluan se ishte dëbuar nga vendi gjatë vitit 2024.
Në seancën e zhvilluar në Nottingham Crown Court, gjykata e dënoi me një total prej 22 muajsh burgim. Po ashtu, u bë e ditur se ai do të rekomandohet për dëbim nga Mbretëria e Bashkuar pas përfundimit të dënimit.

