Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

U paraqit rrejshëm si Veton Elshani dhe kërkoi para, qytetari në Zubin Potok ra pre e mashtrimit dhe ia dërgoi 1 mijë euro

 
   

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, pas një rasti të mashtrimit të raportuar këtë të enjte në Stacionin Policor të Zubin Potokut.

Rreth orës 09:20, një qytetar ka raportuar se është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të zëvendësdrejtorit të DRP Mitrovicë Veri, nënkolonel Veton Elshani. I dyshuari ka kërkuar ndihmë financiare dhe viktima ka transferuar 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnje e Hercegovinë. Pas dërgimit të shumës, komunikimi është ndërprerë.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast penal për veprën “Mashtrim”, ndërsa njësitë hetimore të Policisë po merren me rastin.

Policia ka theksuar se raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në qytete të tjera të Kosovës, si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar para duke u prezantuar në emër të zëvendësdrejtorit Elshani.

Apeli i Policisë:

Të mos i besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë dhe kërkojnë para.

Të mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve të pasigurta.

Çdo rast të dyshimtë ta raportoni menjëherë në Policinë e Kosovës.

“Siguria juaj është prioriteti ynë. Kujdes nga mashtrimet!”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.