Efektivi i forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi shumëkërkuar në Maqellarë, i dënuar nga gjykata e Apelit në Romë me 6 vite e 7 muaj burg për disa vepra penale.
Ngjarja ndodhi në momentin kur forcat e policisë u futën në një banesë trekatëshe, për të arrestuar 35-vjeçarin Klodian Llomi i njohur edhe si Klodian Mazari në fshatin Kërçisht të Maqellarës, i dënuar për për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali.
Gjatë operacionit, efektivi i “Shqiponjave”, Gentjan Meda ra nga muri rrethues i banesës trekatëshe dhe u lëndua në kokë dhe në trup. Policit të plagosur fillimisht i është dhënë ndihma e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës dhe më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Nga ana tjetër, personi i kërkuar është vënë në pranga nga policia dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij incidenti të rëndë.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vendimi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim. Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për 35 vjeçarin, për vuajtjen e dënimit me 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg të mbetur, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
