Aktuale

U ZHDUK gati 3 dekada më parë pasi kishte dalë për të bërë pazar/ Gjendet gjallë nëna e tre fëmijëve!

Burri i saj e raportoi të zhdukur dhe rasti ndezi një hetim të gjerë që zgjati 24 vite…

Një nënë e tre fëmijëve, e cila u zhduk më shumë se dy dekada më parë, është gjetur shëndoshë e mirë nga hetuesit në Shtetet e Bashkuara.

Michele Hundley Smith u zhduk në dhjetor të vitit 2001, pasi doli nga shtëpia e saj në Eden të Karolinës së Veriut, për të bërë pazar për Krishtlindje në Virxhinia. Ajo ishte 38 vjeçe kur shkoi për pazar më 9 dhjetor 2001 dhe nuk u kthye më kurrë.

Burri i saj i shqetësuar e raportoi të zhdukur dhe rasti ndezi një hetim të gjerë që zgjati 24 vite, me policinë si në Virxhinia ashtu edhe në Karolinën e Veriut që ende kërkonte në mënyrë aktive, të asistuar edhe nga FBI-ja.

Tre fëmijët e saj, 19, 14 dhe shtatë vjeç në atë kohë vazhduan, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes, ta kërkonin atë gjatë gjithë viteve.

Më herët këtë muaj, hetuesit morën informacione të reja në lidhje me rastin dhe arritën të kontaktojnë Smith, e cila tani është 62 vjeçe.

Zyra e Sherifit të Qarkut Rockingham tha se ajo u gjet në një vend në Karolinën e Veriut.

Në një deklaratë, autoritetet thanë se ajo ishte “gjallë dhe mirë”, por shtuan se, me kërkesën e saj, nuk do të publikoheshin informacione të mëtejshme rreth vendndodhjes.

Të Ngjashme