Mbrëmë është lëshuar brana nga liqeni i Ujmanit, ku sasi e madhe e ujit ka shkuar mbi lumin Ibër, duke dëmtuar mjetet dhe vendpunishten ku ndërtohej ura për këmbësoret në Mitrovicë.
Ujë shkakto dëme të mëdha materiale në vendpunishten ku ndërtohej ura e cila bashkon jugun me veriun.
Pronari i kompanisë që po ndërton urën për këmbësorët Jahir Nimani tha për KosovaPress-it, se dje kanë punuar deri vonë dhe rreth orës 23:00 është njoftuar nga djali që vendpunishten e ka marrë uji.
Nimani: Uji u lëshua qëllimisht
“Gjithçka çka ka pas në punishte e ka marrë komplet dhe kjo e kam thanë mbrëmë, po e them edhe tash për mua është e qëllimshme, kemi pasur një marrëveshje që ujin mos me lëshuar deri sa jemi duke punuar ose nëse ka nevojë me lëshuar me një masë të vogël, këtu është lëshuar uji, nuk e di as vetë sa se nuk jam ekspert për këtë çështje. Dikush qëndron mbrapa kësaj, kush është nuk mundem me bërë me gisht askujt, se nuk dua me fol gjëra pa lidhje, por është e qëllimshme sepse ne kemi pasur një marrëveshje e unë jam këtu duke punuar për shtetin dhe me thënë të drejtën jam shumë i zhgënjyer me këtë se çka ka ndodhur, kam bërë edhe mbrëmë thirrje, po bëjë prapë, shteti duhet me marrë masa urgjente dhe me zbuluar se kush ka qëllim ndaj një pune që bëhet për popullin, shtetin dhe komunën e me bërë gjithë këtë dëm është e papranueshme për mua. Vlera e dëmit është shumë e madhe, makineri, i ka larguar makineritë e vogla, i kanë gjet do makineri të vogla diku atje poshtë përfundi urës, material si dërrasa, panella, shtylla i ka marrë e i ka dërguar që kanë qenë të paluara në punishte, duke e përgatitur pllakën, të gjitha i ka marrë siç po shihet s’ka më, janë mbet vetëm disa copa të vogla. Të gjitha i ka marrë”, tha ai.
Ai ka edhe një kërkesë urgjente.
Nimani: Kërkojë urgjent me ndalu ujin e pastaj me marrë hetime
“Kërkojë urgjent me ndalu ujin e pastaj me marrë hetime se kush qëndron mbrapa kësaj. …është hapësirë e madhe, janë kilometra të gjata që janë, rrugëtimi i ujit që vjen këtu, por neve këtu na është ndërprerë puna, dëmet janë të mëdha. Tash deri sa të porosisim material të ri, derisa vjen, deri sa pastrohet krejt punishtja, pastaj me fillu punën”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë në veri të vendit, Veton Elshani I ka thënë KP, se nuk ka elemente për vepër penale, ndërsa për dëmet që janë shkaktu aty te pajisjet, janë për diskutim në mes Ibër Lepencit dhe kompanisë që i bën ndërtimet.
Kryeshefi i Iber-Lepencit, Faruk Mujka ka reguar permes rrjetit facebook, se mbrëmë ka qen një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te tre rrokaqiejtë në Mitrovicë.
“Shkak i kësaj ngritjeje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të rreshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit, si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë. Kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël edhepse edhe kjo e krijuar nuk është për tu nënçmuar. Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë. Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka kriju dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur. Niveli është stabilizuar brenda një ore dhe sot vazhdojmë me sanimin në kanalin kryesorë duke tentuar që niveli ujit të jetë sa më i kontrolluar. Mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe fatkeqësisht mund të ndodh edhe një situatë e tillë sikur ajo mbarmë. Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i Korrikut e kemi pregaditur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes”, ka shkruar ai.

