Lajme

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë robër lufte

Rusia dhe Ukraina njoftuan të mërkurën se kanë kryer një tjetër shkëmbim të robërve të luftës, pavarësisht tensioneve që lindën nga rrëzimi i një avioni transporti ushtarak rus javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se të dy vendet kishin shkëmbyer 195 robër lufte respektivisht, dhe se robërit rusë do të dërgoheshin në Moskë për të marrë trajtim mjekësor dhe psikologjik.

​“Më 31 janar, si rezultat i procesit të negociatave, 195 ushtarë rusë robër që ishin në rrezik për jetën u kthyen nga territori i kontrolluar nga regjimi i Kievit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë ruse të mbrojtjes. “Në këmbim, u dorëzuan saktësisht 195 të burgosur ukrainas lufte”.

Pas publikimit të deklaratës, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në rrjetin X se ishin liruar 207 ushtarë ukrainas. Ai vuri në dukje se ky ishte shkëmbimi i 50-të që nga fillimi i luftës gati 2 vjet më parë, duke e çuar në 3,035 numrin e të burgosurve ukrainas të riatdhesuar.

Nuk ka patur shpjegime lidhur me shifrat e ndryshme të raportuara nga të dy palët, raporton VOA.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska është e hapur për më shumë shkëmbime dhe se Kievi gjithashtu ka treguar se është i hapur. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA të ketë thënë se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ndihmuan në ndërmjetësimin e shkëmbimit.

Shkëmbimi vjen pasi një aeroplan transporti ushtarak u rrëzua javën e kaluar me 65 të burgosur ukrainas në bord, sipas ministrisë ruse të mbrojtjes. Moska pretendon se avioni u rrëzua pas goditjes nga një raketë tokë-ajër e lëshuar nga forcat ukrainase.

Kievi nuk e ka mohuar plotësisht variantin e Moskës, duke konfirmuar planifikimin e një tjetër shkëmbimi të burgosurve, por që ishte anuluar. Kievi vuri gjithashtu në pikëpyetje pohimet ruse për të burgosurit ukrainas në bordin e avionit të rrëzuar. Sipas Moskës, të 74 personat në bord u vranë.



Të Ngjashme