Një person u vra dhe tetë u plagosën në një sulm me dron ukrainas gjatë natës në qytetin rus Taganrog në rajonin e Rostovit, tha të hënën guvernatori Yury Slyusar.
Në një deklaratë në Telegram, Slyusar e përshkroi sulmin me dron si “më të fuqishmin” që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Më shumë se 60 dronë u shkatërruan gjatë një sulmi masiv në Taganrog dhe gjashtë rrethe të rajonit të Rostovit”, tha ai, duke shtuar se 12 ndërtesa apartamentesh, 27 shtëpi private, 10 makina dhe tre biznese u dëmtuan.
Në një deklaratë të veçantë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 102 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës në disa rajone ruse, raporton Anadolu.
Në qytetin Tolyatti në rajonin e Samarës, një strukturë industriale u sulmua gjithashtu. “Herët këtë mëngjes, mjete ajrore pa pilot të armikut sulmuan një strukturë industriale në Tolyatti. Nuk ka viktima. Objektet banesore dhe sociale nuk u dëmtuan. Shërbimet e emergjencës po kryejnë operacione”, tha guvernatori Vyacheslav Fedorishchev në Telegram.
Mediat ukrainase, duke cituar burime, konfirmuan sulmin ndaj Tolyatti, duke vënë në dukje se ai ishte drejtuar ndaj uzinës kimike KuibyshevAzot, e cila prodhon substanca të përdorura, ndër të tjera, për prodhimin e eksplozivëve.
Ukraina nuk ka komentuar zyrtarisht për sulmin në Taganrog.
