Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ukraina njofton bisedime trepalëshe me Rusinë dhe SHBA-në në EBA

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se dy ditë takimesh trepalëshe mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të zhvillohen në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke filluar nga dita e premte, raporton BBC.

Këto bisedime vijnë pas vizitës së ekipit negociator amerikan në Moskë një ditë më parë dhe synojnë të avancojnë dialogun për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Duke folur për pritshmëritë nga këto raunde negocimi, Zelensky theksoi se “rusët duhet të jenë të gatshëm për kompromise sepse, e dini, të gjithë duhet të jenë të gatshëm, jo vetëm Ukraina,” duke shtuar se kjo qasje është thelbësore për progresin.

Ky njoftim u bë pak pas takimit të dypalësh mes Zelensky dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili zgjati rreth një orë.

Trump e përshkroi diskutimin si “të mirë”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve, ndërsa Zelensky e quajti atë “produktiv dhe përmbajtjesor.”