
Ish-ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini, ka reaguar pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se autoritetet e Kosovës kanë qenë të informuara për paralajmërimet që ish-presidenti amerikan Donald Trump kishte dhënë lidhur me ndërhyrjet e mundshme të Serbisë në Kosovë.
Ukshini vlerëson se, nëse presidentja ka qenë në dijeni për një informacion të tillë, atëherë ka munguar veprimi konkret për të parandaluar dhe përballuar rrezikun e paralajmëruar.
“Nëse është në dijeni presidentja, gjithsesi duhet të ishte në dijeni edhe ekzekutivi. Por, nëse ajo ka pasur një informacion për tension të mundshëm, çfarë ka ndërmarrë për të tejkaluar boshllëkun institucional që kemi? Dijenia dhe veprimet e saj nuk përputhen”, deklaroi Ukshini në emisionin “Info Nata”.
Ai shtoi se mungesa e reagimit institucional dhe e përpjekjeve për të ndërtuar konsensus përballë situatave të tilla ndërlidhet me, siç e quan ai, mungesë lidershipi.
“Kjo tregon mungesë lidershipi dhe mungesë guximi. Kosovës i duhej një presidente të paktën si Atifete Jahjaga, që kishte një lidership më të dalluar se Vjosa Osmani. Aktualja, me të vetmin fokus udhëtimet, nuk po arrin të ketë ndikim real politik dhe diplomatik – takimet e saj në SHBA janë me zyrtarë të niveleve më të ulëta, pa ndonjë peshë të veçantë”, tha Ukshini.
Sipas tij, nëse paralajmërimet për tensione kanë ardhur nga ShBA, atëherë organet e para që duhet t’i kishin pranuar ato janë institucionet e sigurisë dhe Qeveria.
“ShBA-ja, nëse ka një informacion të tillë, e ndan me të gjitha agjencitë dhe padyshim se adresa e parë është Qeveria, Ministria e Brendshme dhe AKI-ja”, theksoi ai.
Presidentja Osman nga ShBA-ja kishte përmendur se kishte pasur sinjale “kohëve të fundit” për përgatitjet e Serbisë për tensione, duke e lidhur këtë me deklarimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Por ende nuk është bërë e ditur nëse kjo njohuri është ndarë në kohë reale me institucionet relevante të vendit.