Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ulutash pret Sorensenin e Barbanon, flasin për sigurinë dhe dialogun

 
   

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një ditë më parë takim me emisarin special të BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Peter Sorensen si dhe shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Sipas njoftimit të shpërndarë sot nga misioni i KFOR-it, bëhet e ditur se takimi i kësaj tresheje është përqendruar në situatën e sigurisë, stabilitetin rajonal e dialogun.

“Takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it për këtë takim.

Tutje, bëhet e ditur se komandanti i KFOR-it, Ulutash ka nënvizuar angazhimin e misionit që drejton, për bashkëpunim të vazhdueshëm me BE-në e partnerë të tjerë.

“Gjeneral Major Ulutash nënvizoi angazhimin e KFOR-it ndaj misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja dhe ndaj bashkëpunimit të tij të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë. Vizita nënvizoi angazhimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar së bashku për të konsoliduar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet tutje në njoftim.

KFOR-i ripërsëritë se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, “për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim për këtë takim mes komandantit të KFOR-it, Ulutash, me emisarin special të BE-së, Sorensen dhe shefin e EULEX-it, Barbano.