
Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kryen gjatë ditës patrullime përgjatë vijës kufitare të Kosovës për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt.
Siç thuhet në një njoftim të KFOR-it, ushtarët në mënyrë rutinore kryejnë patrullime ditore nëpër komuna të shumta të Kosovës në përpjekje për të ruajtur paqen në rajon.
“Qoftë duke patrulluar në mënyrë të pavarur apo duke u bashkuar me partnerët tanë të reagimit të sigurisë, KFOR-i mbetet i përkushtuar ndaj misionit tonë”, u tha në njoftim.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.