Të martën, Ushtria e Kosovës ka pranuar dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin turk Roketsan
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se sistemi OMTAS është një komponent kyç për përballimin e kërcënimeve të mundshme, duke mbuluar distanca të ndryshme veprimi dhe duke siguruar mbrojtje të fortë në terrene dhe skenarë të ndryshëm.
Ai theksoi se modernizimi i ushtrisë është një prioritet i vazhdueshëm, duke përfshirë një gamë të gjerë të sistemeve mbrojtëse të avancuara që mund të sigurojnë një përgjigje të shpejtë dhe të efektshme ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
“Sot pranuam dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.
Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Kurse, ekspertët e sigurisë e kanë vlerësuar këtë zhvillim si një hap strategjik të rëndësishëm për Kosovën. Sipas tyre, integrimi i raketave OMTAS nuk përforcon vetëm kapacitetet teknike për të neutralizuar mjete të blinduara dhe pozicione të fortifikuara, por rrit edhe gatishmërinë dhe fleksibilitetin operativ të njësive tokësore.
Racaj: Me OMTAS, Ushtria e Kosovës dërgon mesazh të fortë strategjik
Lidhur me këtë, gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se sistemi raketor OMTAS rrit aftësitë e Ushtrisë së Kosovës për të neutralizuar mjete të blinduara dhe pozicione të fortifikuara, duke e bërë më të gatshme dhe fleksibile në operacione tokësore.

Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Si ekspert i mbrojtjes, sigurisë dhe gjeopolitikës, mendoj se arritja e sistemit raketor anti-tank OMTAS në Ushtrinë e Kosovës është një zhvillim strategjik shumë i rëndësishëm.
Ky sistem i avancuar ofron njësive tokësore aftësi për të neutralizuar mjete të blinduara dhe pozicione të fortifikuara, duke rritur gatishmërinë dhe fleksibilitetin operativ
Ky sistem i avancuar nuk përforcon vetëm kapacitetet teknike për të neutralizuar mjete të blinduara dhe pozicione të fortifikuara, por rrit edhe gatishmërinë dhe fleksibilitetin operativ të njësive tona tokësore”, ka thënë ai.
Tutje, Racaj ka zbuluar se çfarë mesazhi dërgon posedimi i sistemit OMTAS.
“Në nivel simbolik dhe strategjik, posedimi i OMTAS-it dërgon një mesazh të qartë se:
● Ushtria e Kosovës është e përgatitur të mbrojë territorin dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal.
● Për mua, ky është një hap konkret drejt forcimit të sigurisë kombëtare dhe të besimit të qytetarëve në kapacitetet e forcave tona të armatosura”, ka theksuar Racaj.
Armatosja e Kosovës me raketa OMTAS
Ndërkaq, profesori Milazim Maraj, është shprehur se Kosova, si shtet sovran, po armatoset për mbrojtje, dhe raketat OMTAS janë mbrojtëse, efikase dhe nuk kërcënojnë Serbinë.

Milazim Maraj
“Armatimi në Gadishullin Ilirik është tani një garë goxha e ashpër. Të gjitha shtetet po armatosën. Madje Serbia është ajo që po armatoset dhe kërcënohet më këto armë. Në të njëjtën kohë ajo reagon kundër armatosjes së Kosovës, madje; ia sheh për të madhe Turqisë që i shet armë Kosovës. Ndërsa vet armatoset nga Franca, Kina, Rusia etj. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Andaj armatimi i Kosovës behët krahas përgatitjes së ushtrisë tonë, për mbrojtje efikase. Armatimi i Kosovës me raketa kundërtank OMTAS është armatim mbrojtës. Për këto raketa vlerësohen nga ekspertet që janë shumë efikase. Këto raketa janë me rreze të mesme veprimi që fare nuk paraqet rrezik për Serbinë. Këto janë efikase për tanket, autoblinda që do të ofrohen, hyjnë në territorin tonë apo rrezikojnë në çfarë do forme integritetin tonë”, ka theksuar ai.
Tutje, Maraj ka cilësuar se armatimi i Ushtrisë së Kosovës është pozitiv, por me qëllim mbrojtës dhe sipas standardeve të NATO-s, duke përfshirë artileri moderne, raketa mbrojtëse dhe prodhim municioni, në kuadër të kalimit nga FSK në ushtri të plotë.
“Armatimi i ushtrisë së Kosovës është lajmë i mirë. Por nuk është një armatim për shumë krenari apo lavde. Kontrata më SHBA për blerjen e sistemeve moderne për artilerinë lëvizëse është po ashtu një lajmë i mirë. Artileria lëvizëse është sistemi më modern më të cilën do të armatoset Kosova. Trajnimi i ushtrisë tonë dhe arritjet më të larta të sukseseve në nivele ndërkombëtare kërkojnë edhe armatim modern. Andaj si raketat kundër tank OMTAS, ashtu edhe armatimi tjetër nga shtetet tona mike, pastaj edhe prodhimi i municionit në Kosovë, fillimisht me dy kalibra pastaj sigurisht që do të ketë avancimet në cilësi, madhësi dhe shumëllojshmëri të këtij municioni. Ushtria e Kosovës po futët në fazën e tretë të zhvillimit të saj që do të thotë te kaloj nga FSK në Ushtri e cila duhet të ketë armë për mbrojtje kundër tank, kundër Dron dhe kundër ajrore e armatim tjetër që do të përcjell standardet e NATOS që është synim i Kosovës për anëtarësim sa më të shpejt në këtë aleancë”, ka shtuar ai.
Në fund, Maraj ka përmendur se aleanca e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë nuk kërcënon fqinjët, por vetëm agresorin.
Ai ka potencuar se armatimi modern i Kosovës, përfshirë raketat OMTAS, është pjesë e modernizimit të ushtrisë dhe duhet të jetë i koordinuar me aleatët, veçanërisht SHBA‑në, NATO‑n, Shqipërinë dhe Kroacinë.
“Serbia ka reaguar edhe kundër aleancës së mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë. Kjo aleancë sigurisht që do të zgjerohet edhe me Maqedoninë e V, ndoshta edhe Malin e Zi. Kjo nuk paraqet rrezik për asnjë fqinjë, përveç për agresorin. Serbia duhet të harroj që Kosovën do ta sulmoj përsëri kur kjo është me duar thatë. Andaj raketat OMTAS si dhe armatimi tjetër modern që ka ardhur dhe do të vije në Kosovë janë pajisje normale në kuadër të avancimit dhe modernizimit të ushtrisë në Republikën e Kosovës. Kosova do të bashkëpunoj me aleatët tonë dhe në veçanti me SHBA, NATO, por një bashkëpunim të ngushtë do të duhej ta ketë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Andaj edhe armatimi do të duhej të jetë i koordinuar në planin strategjik”, ka përfunduar Maraj.

