Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vajza 13-vjeçare zhduket në Rahovec – Dyshohet se ka marrë autobusin për në Prishtinë

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Së fundmi, një rast zhdukjeje ka ndodhur më 14 korrik 2025, në Rrugën “Sulejman Kollari” në Rahovec, ku një prind ka raportuar largimin e vajzës së tij nga shtëpia pa ndonjë paralajmërim.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda Prokurorisë, R.H., rreth 40-vjeçar ka raportuar në Stacionin Policor në Rahovec se vajza e tij, L.H., rreth 13-vjeçare, është larguar nga shtëpia rreth orës 13:00 dhe nuk është kthyer më.

Ankuesi ka deklaruar se ka marrë informacion se e mitura është parë rreth orës 14:30 në Stacionin e Autobusëve në Rahovec, ku dyshohet se ka hipur në autobusin e linjës Rahovec – Prishtinë.

Sipas përshkrimit të dhënë nga prindi, në momentin e largimit nga shtëpia, vajza ishte e veshur me: Maicë të zezë, pantallona (hellanka) të zeza dhe flokë gështenje dhe sy të kaltër.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda në PTH Gjakovë, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rasti “Person i zhdukur”. Po ashtu, është aktivizuar edhe Sektori i Hetimeve Rajonale i DRP Gjakovë.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa autoritetet janë në kërkim të të miturës./Sinjali