Kaltrina Kondi ishte e ftuar në studion e “Goca dhe Gra”, ku bëri një rrëfim tejet emocional për jetën pa të atin. Në rrëfimin e saj, ajo theksoi se i ngjan shumë atij, si në pamje, ashtu edhe në karakter.
“Nga tiparet ngjaj me babin. Nga tipi, ngjaj me të dy. Ajo që diskutonte babi ishte që unë të kisha një të ardhme të mirë, të isha e shkolluar. Unë po ndjek atë që dua dhe besoj se ai është shumë krenar,” u shpreh ajo.
Megjithatë, Kaltrina, rrëfeu se humbja e tij mbetet një dhimbje e madhe, sidomos kur ai nuk është i pranishëm në momente tejet të rëndësishme në jetë e saj.
“Mungesa e tij ndihet çdo ditë. Ka periudha që i kaloj shumë keq, sidomos kur shoh të tjerët në diplomim me mamin dhe babin,” tha ajo mes lotësh.
Dr. Flori, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare, u nda nga jeta më 17 nëntor 2014, në moshën 35-vjeçare. Ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Tiranë, ndërsa shkaku i vdekjes u raportua si mbidozë aksidentale nga substanca narkotike.
Ai la pas Blerinën, bashkëshorten e tij, si dhe dy fëmijët, Kaltrinën dhe Danielin.
