Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vajza e Jakup Krasniqit: Koha nuk ndaloi, por as nuk do të na falë

 
   

Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit ka shprehur përkrahje për protestën e OVL-UÇK e cila do të mbahet ndaj procesit gjyqësor nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Krasniqi përmes Facebook tha se shumë persona përfshirë edhe bashkëluftëtarë të ish-krerëve të UÇK-së zgjodhën heshtjen për shkak të inateve politike, megjithatë ajo tha se sot më e pakta që mund të bëhet është pjesëmarrja në protestë, transmeton KosovaPress.

“Koha nuk ndaloi, por as nuk do të na falë.Sepse për shkak të injorancës, inateve personale dhe luftës politike, shumëkush zgjodhi heshtjen.Disa premtuan uragan, por nuk shkruan asnjë gërmë për padrejtësinë ndaj bashkëluftëtarëve të tyre.Shumë ish-të burgosur nuk vizituan kurrë ish-shokët e qelive.Sot, më e pakta që mund të bëjnë, është të protestojnë e të kërkojnë drejtësi.Sepse koha nuk fal. Dhe historia, padyshim, do të ju lë pas, në harresën e saj.

Ashtu siç disa harruan luftën tonë të shenjtë, sepse interesi personal errësoi interesin kombëtar”, ka shkruar ajo ndër të tjerash në Facebook.

OVL-UÇK-ja dhe organizatat e tjera të dala nga lufta sot nga ora 17:00, do të protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vijueshmërinë e procesit gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.Gjatë protestës do të kërkohet reagim institucional lidhur me këtë proces.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.

Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.