Lajme

Varësia e të miturve nga rrjetet sociale, pandemi

Varësia e të miturve nga rrjetet sociale është kthyer në një pandemi globale, për të cilën shumë shtete po shkojnë drejt kontrollit apo ndalimit të plotë të tyre. Psikologët thonë se, teksa bota digjitale po përhapet me shpejtësi, po aq po shkëput edhe fëmijët nga realiteti.

“Është e qartë që ne po shkojmë drejt botës virtuale, përdorimit masiv të teknologjisë, por ajo që duhet të kemi parasysh është koha dhe mënyra e përdorimit të këtyre mjeteve. Ka një tendencë sot drejt izolimit social që vjen nga të qëndruarit për një kohë të gjatë në rrjete sociale apo krijimi i miqve virtualë, çka do të thotë se fëmijët sot kanë më shumë vështirësi në krijimin e raporteve sociale në realitet, krahasuar me ato të miqësive në rrjetet sociale apo lojërat që i luajnë në mënyrë virtuale”, shprehet Elona Mustafaraj, psikologe.

Specialistët e IT thonë se, edhe pse shumë shtete po tentojnë të bllokojnë rrjetet sociale për të mitur, gjasat janë që kjo nuk mund të arrihet.

“Shumë shtete po tentojnë të mbyllin rrjetet sociale, por ideja është sa do të mundin t’i arrijnë ato, pasi në këtë çështje është kush do të jetë pala e tretë që do të bëjë kontrollin e moshës. Nëse është e mundur ta bëjë Shqipëria, është si puna e TikTok-ut që nuk u arrit të mbyllej, pasi njerëzit gjejnë mjete për të aksesuar këto site”, thotë Tomi Kallanxha, specialist IT.

Sipas specialistëve, përballë këtij realiteti duhet një promovim i shëndetshëm i përdorimit të rrjeteve sociale nga shkolla dhe po ashtu kontroll më i plotë nga prindërit.

“Shtyrja e përdorimit të rrjeteve sociale nga minorenët nis nga shkolla, si duhet t’i përdorin dhe si duhet të kenë një etikë”, shton Kallanxha.

“Një monitorim dhe filtra për aplikacionet duhet të jenë në vëmendjen e strukturave dhe prindërve”, shprehet psikologia Mustafaraj.

Australia ishte e para që miratoi ligjin që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Po ashtu edhe Franca, Spanja, Greqia dhe së fundi Çekia njoftuan ndërmarrjen e hapave konkretë ligjorë për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit.

Të Ngjashme