Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vazhdojnë trazirat në Francë, sulmohet shtëpia e një kryetari komune

Protestuesit e rinj vazhduan përleshjet me policinë në Francë deri në orët e hershme të mëngjesit të 2 korrikut. Në natën e pestë të trazirave të shkaktuara nga vrasja e një adoleshenti nga një zyrtar policor, protestues sulmuan shtëpinë e një kryetari komune me një makinë të djegur.

Megjithatë, në përgjithësi, raportuar se intensiteti i dhunës ishte më i ulët, në krahasim me netët e mëparshme.

Policia njoftoi se gjatë natës janë arrestuar 719 persona – në krahasim me 1311 arrestime një natë më parë – në mbarë vendin, pas dislokimit masiv të forcave të sigurisë me synimin për t’i shtypur trazirat më të ashpra sociale në Francë në vitet e fundit.

Kjo krizë, e cila u përhap me shpejtësi, paraqet një sfidë të re për udhëheqjen e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si dhe po ekspozon pakënaqësitë e thella për diskriminim në lagjet më të varfra.

17-vjeçari Nahel, vdekja e të cilit nxiti trazirat, u varros të shtunën në një ceremoni myslimane në qytetin e tij të lindjes Nanterre, në periferi të Parisit.

E përderisa nata binte mbi kryeqytetin francez, një turmë e vogël e njerëzve u mblodh në Champs-Elysees për një protestë për vdekjen e Nahelit dhe kundër dhunës policore. Kjo turmë u përball me qindra oficerë që ruanin rrugën dhe butikët e saj luksoz, si Cartier dhe Dior.

Në një lagje më pak luksoze të Parisit verior, protestuesit hodhën breshëri fishekzjarrësh dhe ndezën zjarre si barrikada. policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

Një makinë e djegur goditi shtëpinë e kryetarit të periferisë së Parisit, l’Hay-les-Roses, gjatë natës. Disa shkolla, stacione policie dhe dyqane janë djegur dhe vandalizuar gjatë ditëve të fundit, por një sulm i tillë personal në shtëpinë e një kryetari komune është i pazakontë.

Përleshjet mes protestuesve dhe policisë shpërthyen në Marsejë, por u shfaqën më pak intensive se përleshjet e një nate më parë, sipas Ministrisë së Brendshme të Francës. Një kontingjent i përforcuar i policisë arrestoi 55 persona atje.

Rreth 2.800 njerëz janë arrestuar gjithsej që nga vdekja e Nahelit më 27 qershor. Dislokimi masiv i policisë është mirëpritur nga disa banorë të frikësuar të lagjeve të shënjestruara dhe pronarë dyqanesh, dyqanet e të cilëve janë plaçkitur. Por, ky veprim ka zemëruar më tej ata që e shohin sjelljen e policisë si shkakun e krizës aktuale në Francë.

Trazirat ndikuan në agjendën diplomatike të Macron. Zyra e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se Macron telefonoi të shtunën për të kërkuar një shtyrje të asaj që do të ishte vizita e parë shtetërore e një presidenti francez në Gjermani në 23 vjetët e fundit. Macron ishte planifikuar të udhëtonte për në Gjermani më 2 korrik.

Qindra policë dhe zjarrfikës francezë kanë mbetur të plagosur nga trazirat që shpërthyen pas vrasjes së Nahelit, megjithëse autoritetet nuk kanë publikuar shifrat për të plagosurit në mesin e protestuesve. Në Guajanën franceze, një 54-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një plumb qorr.

Më 1 korrik, ministri i Drejtësisë i Francës, Dupond-Moretti, paralajmëroi se të rinjtë që shpërndajnë thirrje për dhunë në platformën Snapchat ose aplikacione të tjera mund të përballen me ndjekje penale. Macron ka fajësuar rrjetet sociale për nxitjen e dhunës.

Dhuna vjen pak më shumë se një vit para se Parisi dhe qytetet e tjera franceze të presin atletët olimpikë dhe miliona vizitorët për Lojërat Olimpike verore. Organizatorët thanë se po e monitorojnë nga afër situatën, ndërsa përgatitjet për garën po vazhdojnë.

Në një varrezë në majë të kodrës në Nanterre, qindra njerëz qëndruan përgjatë rrugës më 1 korrik për t’ia dhënë lamtumirën Nahelit. Nëna e tij, e veshur me të bardha, hyri brenda varrezave pranë një xhamie mes duartrokitjeve dhe shkoi drejt varrit. Shumë nga burrat ishin të rinj, arabë ose me ngjyrë, që vinin për të vajtuar një person, për të cilin thoshin se lehtë mund të kishin qenë vetë ata.

“Historia e Nahelit është çakmaku që ndezi gazin. Të rinjtë e pashpresë e prisnin. Na mungojnë strehimi dhe vendet e punës, dhe kur kemi [punë], pagat tona janë shumë të ulëta”, tha Samba Seck, një punëtore transporti 39-vjeçare në periferinë e Parisit, Clichy-sous-Bois.

Këtë javë, nëna e Nahelit i tha televizionit France 5 se ishte e zemëruar me oficerin që qëlloi djalin e saj në një ndalesë trafiku, por jo me policinë në përgjithësi.

“Ai pa një fëmijë të vogël me pamje arabe. Ai donte t’ia merrte jetën”, tha ajo. Familja e Nahelit ka prejardhje nga Algjeria.

Një video, ku shihet momenti i vrasjes së tij, shfaq dy oficerë në dritaren e makinës, njëri me armën drejtuar shoferit. Kur adoleshenti lëvizi përpara, oficeri qëlloi një herë përmes xhamit të përparmë. Oficerit të akuzuar për vrasjen e Nahelit iu ngrit një akuzë preliminare për vrasje të qëllimshme.

Trembëdhjetë persona që nuk respektuan ndalesat e trafikut ishin qëlluar për vdekje nga policia franceze gjatë vitit të kaluar dhe tre të tjerë këtë vit. Këto raste kanë nxitur kërkesat për më shumë përgjegjësi nga ana e policisë.

Në Francë ishin zhvilluar protesta masive kundër dhunës policore dhe padrejtësisë racore edhe pas vrasjes së George Floyd nga policia në Minesota të SHBA-së.

Tags: