Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
Ministri Maqedonci theksoi se sistemi OMTAS është një komponent kyç për përballimin e kërcënimeve të mundshme, duke mbuluar distanca të ndryshme veprimi dhe duke siguruar mbrojtje të fortë në terrene dhe skenarë të ndryshëm.
Siç ka shtuar Maqedonci, bashkëpunimi ushtarak dhe strategjik mes dy shteteve është kyç për stabilitetin e rajonit të Ballkanit.
Ai theksoi se modernizimi i ushtrisë është një prioritet i vazhdueshëm, duke përfshirë një gamë të gjerë të sistemeve mbrojtëse të avancuara që mund të sigurojnë një përgjigje të shpejtë dhe të efektshme ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
Postim i plotë:
Sot pranuam dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.
Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional.

