Lajme

Vazhdon gjykimi për sulmin në Banjskë

Në Gjykata Themelore në Prishtinë, nga ora 09:30, vazhdon sot seanca gjyqësore ndaj Blagoje Spasojeviqit, Vladimir Toliqit dhe Dushan Maksimoviqit, të akuzuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçan, ndërsa në seancën e së enjtes gjykata ka vazhduar me administrimin e provave materiale.

Fillimisht, mbrojtësja e Maksimoviqit, avokatja Jovana Filipoviq, njoftoi se dëshmitari Millosh Radosavleviq ndodhet në Serbi për mjekim dhe kërkoi që të lexohet deklarata e tij e dhënë më 12 shtator 2024, duke theksuar se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk dihet nëse ai do të mund t’i përgjigjet ftesës së gjykatës në muajin mars, andaj hoqi dorë nga dëgjimi i tij në seancë dhe kërkoi që deklarata e mëhershme të administrohet si provë, për çka gjykata tha se do të vendosë pas qëndrimit të palëve.

Pas kësaj, prokurori special Naim Abazi propozoi administrimin e provave materiale të paraqitura në aktakuzë, duke sqaruar se disa prova që lidhen me të pandehur të tjerë nuk po propozohen, ndërsa pjesa tjetër po, përfshirë prova nga disa dosje hetimore dhe dy raporte të pranuara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA.

Ai prezantoi edhe raporte shtesë që përfshijnë analizën e të dhënave të nxjerra nga Google dhe META, të cilat, sipas prokurorisë, përmbajnë të dhëna teknike për llogaritë elektronike të Maksimoviqit, përfshirë histori lokacioni, kontakte, fotografi me armë e municion, si dhe video-incizime, që sipas Abazit dëshmojnë ekzistencën e një rrjeti komunikimi mes personave të përfshirë në këtë çështje penale.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, mbështeti propozimet e prokurorisë dhe kërkoi plotësimin e provave me administrimin e deklaratave të dhëna në procedurë paraprake, përfshirë deklarata të dëshmitarëve që kanë ndryshuar qëndrimin në shqyrtim gjyqësor, çka u mbështet edhe nga prokurori.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan provat e propozuara, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë siguruar në mënyrë të kundërligjshme, se disa fotografi janë keqinterpretuar dhe se provat nuk vërtetojnë përfshirjen direkte të të mbrojturve në sulm, ndërsa prokuroria i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se veprimet procedurale janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se provat ndaj të akuzuarve që ndodhen në arrati nuk janë përfshirë, pasi procedura ndaj tyre është pezulluar deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Të Ngjashme