Lajme

Vazhdon gjykimi për sulmin në Banjskë, kërkohet burgim i përjetshëm

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë. Aktakuza përfshin mbi 45 persona për veprat penale të terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave. Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Milan Radojçiqin, ndodhen në arrati dhe shfaqen herë pas here në Serbi, duke ngritur dyshime për përfshirjen e shtetit serb. Ndërkohë, po shqyrtohet mundësia e ndryshimeve ligjore për të mundësuar gjykimin në mungesë.

Nga 45 serbë të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, në seancat gjyqësore po përballen vetëm tre prej tyre. Sipas dëshmive të paraqitura, të akuzuarit janë shfaqur me uniforma të strukturave serbe, si pjesë e një grupi të organizuar.

Avokati Naim Rudari ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

“Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht të tre të akuzuarit. Ka fotografi, shkrime dhe video që tregojnë se ata kanë qenë pjesë e grupit terrorist dhe janë arrestuar të uniformuar. Në të njëjtën kohë, edhe për ata që mund të mos kenë qenë plotësisht të informuar, provat tregojnë se kanë qenë pjesë e pandashme e grupit. Besojmë se gjykata ka prova të mjaftueshme për këtë çështje dhe se verdikti do të nxirret në përputhje me ligjin. Ne kemi propozuar burgim të përjetshëm dhe besojmë se gjykata do ta pranojë. Më pas, të akuzuarit do të kenë mundësi të ankimojnë vendimin në faza të tjera. Procesi deri tani ka shkuar në rregull, përveç mungesës së disa dëshmitarëve, posaçërisht atyre me shtetësi serbe”, tha Rudari.

Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Milan Radojçiqin, sipas organeve të rendit, ndodhen në arrati. Ndërkohë, ata shfaqen herë pas here në Serbi, duke nxitur dyshime për përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm terrorist.

Për këtë arsye, avokati Rudari ka kërkuar ndryshime ligjore për të mundësuar gjykimin në mungesë.

“Serbia do të kishte dashur t’i gjykonte këta persona, pasi dyshohet se kanë vepruar me mbështetje politike dhe kanë kryer trajnime ushtarake në territorin e saj para se të hynin në Kosovë. Për këtë arsye, Republika e Kosovës duhet të gjejë mënyra ligjore për t’i gjykuar këta persona edhe në mungesë, nëse është e nevojshme. Nëse dispozitat aktuale ligjore nuk e lejojnë këtë, ato duhet të ndryshohen sa më shpejt, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, theksoi Rudari.

Nga sulmi terrorist, dëshmitë tregojnë edhe për gjendjen e një polici të Kosovës që ka pësuar pasoja nga ky sulm. Gjatë seancës së sotme, i akuzuari Dushan Maksimoviq dha deklaratën e tij mbrojtëse.

Rasti i Banjskës, me tre të akuzuarit në gjykim, po shkon drejt përfundimit. Aktakuza rëndon mbi më shumë se 45 persona për veprat penale të terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Të Ngjashme