Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar operacioni për kërkimin e personit të zhdukur në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kërkimi pas raportimit për zhdukjen e Alush Kastrati, i cili për herë të fundit është parë me datën 7 mars.
Menjëherë pas raportimit janë aktivizuar strukturat relevante të Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në drejtim të gjetjes së tij. Në kuadër të këtij operacioni, njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth.
Në njoftimin e policisë thuhet se në operacionin e kërkimit janë angazhuar: njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri, njësia K9 me qen kërkues. Gjithashtu në këtë operacion janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren.
“Në këtë iniciativë mbështetje ka ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, duke kontribuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit, për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur”, thuhet tutje.
