Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vazhdon sot gjykimi në rastin e Liridona Ademajt

 
   

Në orën 09:00, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Ditë më parë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.

Në raport theksohet se “tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”.

Gjithashtu, ekspertët nuk kanë gjetur asnjë shenjë të abuzimit me substanca narkotike apo alkool, e as ndonjë pengesë në zhvillimin mendor që do të ndikonte në perceptimin e realitetit.

Tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë deklaruar rreth fajësisë.

Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt më 15 janar të 2025-tës. Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes.