Lajme

Vdiq dje, varroset sot plaku ikonik i Ansamblit Folklorik Autokton ‘Rugova’, Rrustem Nikçi

Në moshën 95-vjeçare, u nda nga jeta dje doajeni emblematik i Ansambli Folklorik Autokton ‘Rugova’, Rrustem Bajram Nikçi – një emër që për më shumë se gjashtë dekada u bë sinonim i shpirtit, krenarisë dhe traditës rugovase.

Lajmin e ka bërë të ditur Vesel Nikçi, prijëtar shumëvjeçar i këtij Ansambli famoz.

Me jatagan e pushkë në dorë, ai ngjitej në skenat kombëtare e ndërkombëtare duke i dhënë jetë kërcimit rugovisht, me një forcë e dinjitet që rrallë shihet. Çdo hap i tij ishte histori, çdo lëvizje ishte dëshmi e një kulture të lashtë që jeton ndër breza. Ai nuk ishte thjesht valltar – ishte mishërim i traditës.

Me lahutë në dorë, duke kënduar eposin heroik e legjendar të kreshnikëve, ai ringjallte trimat e heronjtë e këtij vendi, që ndër shekuj mbijetuan në këto troje. Këndoi për luftën, për qëndresën, për nderin dhe mbi të gjitha për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë shpirtërore të gjyshërve e stërgjyshërve tanë. Zëri i tij nuk ishte vetëm këngë – ishte amanet.

‘Rrustem Bajram Nikçi ishte shembull i fisnikërisë, bujarisë dhe burrnisë. Një burrë që e deshi atdheun jo vetëm me fjalë, por me vepra. Një artist që e ngriti lart emrin e Rugovës kudo që shkeli.’-shkruan mes tjerash Nikçi.

‘Sot, Ansambli u varfërua me ikjen e tij, por njëkohësisht mbetet krenar që e pati në gjirin e vet. Krenar për veprën që la pas. Për shembullin që tregoi se si duhet atdheu, si duhet kërcyer e si duhet kënduar – por mbi të gjitha, si duhet ruajtur e trashëguar kultura e vyer e Etnoregjionit të Rugovës.

Ai do të mbetet përherë në kujtesën e pashlyeshme të rugovasve, të Ansamblit Rugova, të miqve e shokëve. Emri i tij do të jetojë sa herë të jehojë lahuta, sa herë të hidhet vallja rugovase, sa herë të kujtohen me krenari rrënjët tona.

U prehtë në paqe. Lavdi jetës dhe veprës së tij.’-thuhet në ragimin në emër të Ansamblit Folklorik Autokton ‘Rugova’.

Ndërsa familja Nikçi ka njoftuar se varrimi i Rrustem Bajram Nikçit, do bëhet sot, më 3 mars, në ora 14:00, në varrezat e fshatit Zllapek të Pejës.

I ndjeri shquhej për rolin proaktiv në pothuaj të gjitha manifestimet dhe ngjarjet si kulturore, institucionale e festive që ndodhnin në rajonin e Pejës./Njeshi&RADIO 1/

Të Ngjashme