Ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti ka bërë të ditur se me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese ka marrë vendim që nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës të kalojë në inspektime plotësisht digjitale.
Hoti thekson se kjo do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren.
“Njëkohësisht, do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve, si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, do të iniciojmë forcimin e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që institucionet përgjegjëse të shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe mbikëqyrja të jetë sa më parandaluese”, shkruan ai.
Ndryshe, sot ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) pas rasteve të fundit të humbjes së jetëve në vendet e punës, duke vlerësuar se kushtet e sigurisë për punëtorët në Kosovë mbeten alarmante.
Sipas KMDLNj-së, gjatë vitit të kaluar në Kosovë humbën jetën 32 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.
