Motra e Donika Kadaj-Bujupi, Ena Krasniqi, nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të koalicionit boshnjak VAKAT.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë sot vendim me të cilin ka refuzuar ankesën e paraqitur nga koalicioni VAKAT, përmes së cilës ishte kërkuar regjistrimi i Ena Krasniqit si kandidate për deputete në këtë subjekt politik.
Më herët, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte refuzuar regjistrimin e saj si kandidate për deputete nga radhët e partisë minoritare VAKAT. Vendimi i PZAP-it e bën përfundimtar mosregjistrimin e saj në listën zgjedhore të këtij koalicioni.

Vendimi i PZAP-it
Lidhur me kandidimin e motrës së Kadaj Bujupit, Ena Krasniqi, kishte reaguar ashpër para disa ditësh edhe Duda Balje.
Kjo e fundit ka thënë se garimi i Kadajt është qëllimisht për të keqpërdorur vendet e rezervuara për komunitetet joshumicë në Kosovë.
Ajo madje, garimin e Kadajt e ka lidhur si sulm i VAKAT karshi Baljes.
“Ky nuk është sulmi i parë nga VAKAT. Para dy zgjedhjeve, VAKAT ka marrë vota edhe nga komunat serbe dhe ka provuar të marrë vende me vota të serbëve. Tani po përpiqet edhe me zonjën Ena. Unë e respektoj, por nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë kurrë në jetën time, dhe mendoj se ky veprim nuk është fer”, kishte thënë ajo.
