3
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, që shpalli joligjor ushtrimin e njëkohshëm të pozitave të deputetit dhe ministrit.
Bajrami, në një postim në rrjetin social Facebook, i ka bërë thirrje deputetit Hekuran Murati të mos “derdhë lot krokodili”.
Ajo theksoi se asnjë tjetër nuk e ka ndihmuar më shumë këtë monopol se Murati, duke shtuar se “katër vjet i ka parë seri”.
“Po, digjitalizimi i fiskalizimit duhet të bëhet, sa më parë! Por Hekuran, si deputet, këtë është dashur ta bësh që në vitin e dytë të qeverisjes si ministër. Nëse nuk ka pasur mundësi ta bësh në vitin e parë, ja ku erdhi momenti, por ti ke vendosur të nxjerrësh udhëzim administrativ vetëm kur të ka përfunduar mandati”, ka thënë Bajrami.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Bajrami i bëri thirrje Prokurorisë Speciale të trajtojë kallëzimet penale të LDK-së kundër deputetëve të VV-së.
“Dhe tani pas këtij aktgjyimi/sqarimi të Gjykatës Supreme, i bëj thirrje Prokurorisë Speciale t’i trajtojë kallëzimet penale të LDK-së kundër deputetëve të Vetëvendosjes dhe t’i nxjerrë para drejtësisë, prej deputetit Kurti e teposhtë. Sundimi i ligjit nënkupton që të japin llogari të gjithë deputetët që kundërligjshëm dhe në mënyrë kundërkushtetuese po mbajnë pozita ekzekutive”, tha Bajrami.
Ajo theksoi se çdo vendim i Qeverisë i nxjerrë nga deputetët, përfshirë kryeministrin Kurti, është i kundërligjshëm dhe duhet të jetë subjekt i hetimit penal.
Po ashtu, Bajrami i bëri thirrje edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit që të hetojë dhe të konstatojë konfliktin e interesit për deputetët që mbajnë pozita ekzekutive në Qeveri, shfrytëzojnë pasurinë e shtetit dhe mbajnë këshilltarë kundërligjshëm.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, i bëj thirrje edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit të hetojë dhe të konstatojë konfliktin e interesit ndaj deputetëve që mbajnë pozita ekzekutive në Qeveri, që mbajnë këshilltarë kundërligjshëm dhe që shfrytëzojnë pasurinë e shtetit – përfshirë veturat dhe zyrat – në mënyrë të paligjshme”, ka shtuar ajo.
Hekuran MusatiProkuroriaHykmete Bajrami