Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Vendimi i Themelores për ZRRE-në ankimohet në Apel, Bajraktari: Konstatime të paqëndrueshme

 
   

Refuzimi i kërkesës për masën e sigurisë lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga Gjykata Themelore në Prishtinë, po konsiderohet si një aktvendim i paqëndrueshëm nga përfaqësuesi ligjor i grupit “Asnjë cent më shumë”, Ardian Bajraktari.

Avokati, Bajraktari ka konfirmuar për KosovaPress se tashmë ka dorëzuar ankesën në Gjykatën e Apelit.

Sipas tij, efekti negativ i rritjes së tarifave për energjinë elektrike në masën gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind ka nisur të reflektohet dukshëm në rritjen e çmimeve të produkteve bazë në treg.

Bajraktari: Konstatimet në aktvendim janë të paqëndrueshme

“Kjo çështja ka të bëjë vetëm për masën e sigurisë, përkatësisht kërkesën për pezullim të zbatimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për faktin se këto vendime sipas ligjit janë të zbatueshme, janë të ekzekutueshme për aq kohë sa gjykata nuk merr një vendim ndryshe…që nga marrja e vendimit e kam analizuar të njëjtin dhe kam përgatitur ankesën të cilës sot do ta dorëzojmë përmes të cilës vlerësojmë se konstatimet në aktvendim janë të paqëndrueshme ngase në bindjen tonë kërkesa që duhet me u plotësua në rastin konkret janë të bazuara për faktin se siç dihet tashmë efektet e dëmshme dhe zinxhirore vetëm kanë filluar të vërehen tek qytetarët”, tha ai.

Ai u shpreh optimist se Gjykata e Apelit do të vendosë në favor të pezullimit të vendimit të ZRRE-së. Sipas tij, mos-aprovimi i kësaj mase rrezikon të sjellë pasoja të gjera sociale dhe ekonomike për të gjithë shoqërinë.

Në rast se edhe Apeli e refuzon ankesën, Bajraktari paralajmëroi se do të kërkohet shqyrtim i rastit në Gjykatën Supreme.

Bajraktari: Nëse Apeli vazhdon me mendua njëjtë, do të ankohemi në Supreme

“Mos aprovimi i një propozimi të tillë për bindjen tonë vazhdon me shkaktua dëme në formë zinxhirore për të gjithë qytetarët e vendit…Jam optimist që këtë çështje do ta korrigjoj gjykata e shkallës së dytë brenda një afati sa më të shkurt të mundshëm…04’06 Varësisht prej epilogut të këtij vendimi ne do t’i bëjmë hapat e njohur për publikun… në rast se eventualisht gjykata e Apelit vazhdon me mendua njëjtë atëherë do të jetë mekanizmi i radhës Gjykata Supreme”, deklaroi Bajraktari.

Bajraktari shtoi se procesi i marrjes së vendimit nga ZRRE është karakterizuar me një sërë shkeljesh ligjore, të cilat janë të dokumentuara në një padi prej 13 faqesh të paraqitur në gjykatë.

Bajraktari: Procesi është karakterizuar me një varg shkeljesh

“Në bindjen tonë procesi është karakterizuar me një varg shkeljesh të cilat në padinë prej 13 faqes e kemi argumentuar para gjykatës. Natyrisht, këto janë çështje të ndara dhe nuk e paragjykojnë njëra-tjetrën pavarësisht aprovimit ose jo të masës së sigurisë megjithatë presim të shohim në ditët, javët dhe muajt në vazhdim se si do t’i qaset. Ne çka mund të garantojmë është se do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që i garanton legjislacioni në fuqi në vendosjen e drejtët ë kësaj çështje për çka natyrisht se jemi të bindur se ZRRE me rastin e marrjes së këtij vendimi ka bërë shkelje ligjore”, theksoi avokati Bajraktari.

Nga 1 maji ka hyrë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike prej gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind. Ky vendim i kundërshtuar nga qytetarët, të cilët organizuan edhe protesta. Ndërsa, padia karshi ZRRE-së u dorëzuan në fillim të këtij muaji.