Lajme

Vengu i përgjigjet Serbisë për marrëveshjen trilaterale me Kosovën dhe Kroacinë: Si marrim leje askujt..

 
   

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen trilaterale në fushën e mbrojtjes. Ai theksoi se marrëveshja nuk është kundër askujt dhe se ftesë për t’u bashkuar i është bërë edhe Serbisë, por pa marrë ende përgjigje.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë t’i marrin leje askujt për të nënshkruar marrëveshjen trilaterale në fushën e mbrojtjes, teksa u pyet lidhur me reagimet e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. 

Sipas tij, kjo marrëveshje nuk është ndërtuar kundër askujt dhe theksoi se është partneritet i hapur, ku ftesë për t’u bashkuar i është bërë edhe Serbisë.

“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative”, ka theksuar ai.

Vengu ka deklaruar se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nisur bashkëpunimin në aspektet ushtarak, stërvitor, akademik-arsimor dhe të prodhimit ushtarak, duke theksuar se kjo marrëveshje synon të rrisë kapacitetet e vendeve dhe është e hapur për t’u zgjeruar me anëtarë të tjerë.

Vengu komentoi marrëveshjen me Kosovën, duke thënë se vendet kanë dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara, jo vetëm për shkak të shqetësimeve për rreziqet dhe kërcënimet në rajon, por edhe për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e mbrojtjes.

“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara….Është partneritet i hapur. Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”, theksoi ai.

Ai ritheksoi se s’i marrin leje askujt për këtë bashkëpunim, duke e cilësuar partneritet të hapur dhe të frytshëm për të tre vendet. 

 
 
 
 

 

Të Ngjashme