Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thekson se shpallja e konkursit nga Ministria e Shëndetësisë në Serbi për vende pune në institucione ilegale shëndetësorë në Kosovë është ndërhyrje e drejtpërdrejtë, e ashpër dhe e qëllimshme në sovranitetin e Kosovës nga ana e Beogradit.
Sipas tij, ajo që bënë këtë situatë më shqetësuese është se këto deklarata janë bërë në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë sikur të ishin të pranueshme.
Ai në një publikim të tij në Facebook, ka shkruar se kësaj radhe Serbia po tenton të normalizoj ndërhyrjen e saj.
“Shpallja e konkursit nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë për vende pune në institucione ilegale shëndetësore në Kosovë është ndërhyrje të drejtpërdrejtë, shumë e ashpër dhe e qëllimshme në sovranitetin e RKS. Kjo nuk është hera e parë që Serbia ushtron presion të tillë. Thirrje të hapura dhe eksplicite janë bërë edhe më herët nga presidenti serb Vuçiq, Marko Gjuriqi, e ashtuquajtura ‘Zyra për Kosovë’ dhe zyrtarë të tjerë të lartë serb. Ajo që e bën këtë situatë edhe më shqetësuese është fakti se këto deklarata dhe veprime janë bërë edhe në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sikur të ishin diçka normale dhe e pranueshme. Kësaj radhe Serbia po tenton që të normalizoj ndërhyrjen. Janë duke u kushtëzuar qytetaret me mbështetjen financiare, ndalimet në kufi, ushtrim të presionit dhe shantazhit, fushata propaganduese dhe intimiduese, me qellim të pengimit të pluralizmit dhe obligimin e të gjithë qytetareve për te votuar Listën Serbe”, ka thënë Musliu.
Musliu, ka përmendur edhe presionin ndaj Listës Serbe dhe qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë se është rritur ndjeshëm.
Ai ka thënë se terroristi Milan Radoiqiq ka urdhëruar kryesinë e Listës Serbe që të bëjnë çka të munden për të fituar 10 mandate, përndryshe do të ketë pasoja, duke i mbajt peng për interesa shtetërore dhe elektorale.
Sipas tij, serbët lokal po bëjnë përpjekje për t’i rezistuar presionit porse nuk kanë guxim që të paraqesin rastet.
“Presioni ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë qytetarëve është rritur ndjeshëm. Terroristi Millan Radoiqiq ka urdhëruar kryesine e Listës Serbe që të bëjnë krejt çfarë munden për të fituar 10 mandate, në të kundërtën do të kenë pasoja. Është e rëndësishme të thuhet qartë: Kosova, me Kushtetutën dhe ligjet e saj, u garanton të drejta të plota serbëve lokalë dhe të gjitha pakicave. Askush nuk po ua mohon këto të drejta. Ajo që nuk mund të pranohet është që një shtet tjetër t’i përdorë qytetarët si mjet presioni politik, duke i mbajt peng për interesa shtetërore dhe elektorale. Përballë këtyre veprimeve, reagimi i Bashkimit Evropian dhe i faktorëve ndërkombëtarë është i domosdoshëm. Përkundër presionit te lartë, serbet lokal po bëjnë përpjekje për ti rezistuar presionit por nuk po kanë guxim ende qe të paraqesin rastet”, ka shkruar Musliu.

