Veprimtari Ramazan Bekteshi ka përkujtuar ditëlindjen e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si udhëheqësin që mbajti Kosovën gjatë sfidave të mëdha dhe e çoi drejt pavarësisë.
Bekteshi e përshkroi Rugovën si simbol të paqes, guximit dhe durimit, që i dha Kosovës frymë, zë dhe peshë historike.
Shkrimi i plotë:
Sot është ditëlindja e Ibrahim Rugovës
Kujtojmë burrin që e mbajti Kosovën në Gjoks kur bota na rrëzohej mbi supe.
Ai që e mbante gurin e rëndë të historisë me qetësinë e një Mali, ai që udhëhiqte një komb të plagosur me urtinë e një Profeti.
Ai deshi paqen, por paqja e tij ishte si një krah shqiponje që sfidonte furtunat.
Ai nuk kërcënonte, por prania e tij i dridhte tiranët.
Ai fliste butë, por fjala e tij hapte shtigje që s’i hapnin dot as topat, as kërcënimet, as tiranët.
Me guximin dhe durimin e tij që thyente hekur, Rugova e nxori Kosovën nga Mjegullat shekullore dhe e ngriti në Kupën e qiellit, aty ku fluturojnë vetëm popujt që nuk dorëzohen.
Ai i shndërroi ëndrrat tona të vjetra sa Gurët e Dardanisë në dritë, në shtet, në Pavarësi.
Krah sakrificës së Adem Jasharit, krah çlirimtarëve dhe miqve tanë amerikanë, ai e hapi rrugën që na çoi drejt lirisë, rrugën që sot e ecim me krye lart.
Sot e ka ditëlindjen Ibrahim Rugova, njeriu që i dha Kosovës frymë, zë dhe peshë Qielli.
Gëzuar ditëlindjen, President i Përjetshëm.
Image: R. Bekteshi and I. Rugova @ the CBS, 2004

