Lajme

Veprimtari nga Çikago: Ligji zgjedhor po e mban Kosovën peng të krizës politike

 
   

Po bëhet gati një vit që Kosova po funksionon me qeveri në detyrë, një situatë që, sipas analistit dhe veprimtarit shqiptar Skënder Karaçica, buron drejtpërdrejt nga mangësitë serioze të Ligjit zgjedhor dhe heshtja e partive politike.

“Pse po ndodh kjo dhe kujt i shërben kjo gjendje?”, pyet Karaçica, duke theksuar se ka ardhur koha urgjente për rishikim dhe ndryshim të Ligjit zgjedhor, me qëllim të tejkalimit të ngulfatjes së votës së lirë të sovranit.

 Image
 Skender Karaqica 
 

Sipas tij, ligji aktual zgjedhor përmban paqartësi dhe mungesa që, deshëm apo nuk deshëm, e kanë sjellë vendin para aktit të kohës – me vonesa serioze në krijimin e institucioneve shtetërore.

“Debatet publike janë të ashpra dhe me përplasje të mëdha, edhe pse partitë politike po heshtin. Fajtori, në fund, gjithmonë mbetet para dyerve të partive politike në Kosovë”, nënvizon ai.

Karaçica vlerëson se po të ishin bërë me kohë ndryshimet në Ligjin zgjedhor, Kosova nuk do të përballej me kaq shumë përplasje politike deri në shembjen e vlerës së votës së sovranit.

Nga Çikago, ai thekson se zgjedhjet parlamentare duhet të jenë shenja më e qartë kushtetuese për udhëheqjen e shtetit, përmes një vullneti të pastër qytetar.

“Fryma aktuale e Ligjit zgjedhor, me lista të mbyllura dhe vetëm një zonë elektorale, ka thyer rregullat bazë për kandidatët e nominuar nga partitë politike. Pse të lejojmë këtë dukuri ‘ligjore’, ku një kandidat mund të votohet në gjithë Kosovën pa u njohur fare, përveç qytetit apo fshatit të tij?”, shtron pyetjen Karaçica, duke theksuar se kjo platformë është e vjetruar dhe e papërshtatshme për kohën.

Sipas tij, vazhdimi i këtyre parimeve sjell rrezikun e rikthimit të “gripit politik”, përçarjeve të vazhdueshme dhe dobësimit të frymës kushtetuese, për çka përgjegjësi mbajnë si pozita ashtu edhe opozita.

Për tejkalimin dhe “shërimin e gripit politik”, Karaçica vë në pah domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese dhe ndërtimin e një Ligji zgjedhor të ri, me parime moderne të demokracisë dhe shtetit ligjor.

“Na duhet një vijë e qartë për zgjedhjet parlamentare dhe për zgjedhjen e të parit të shtetit”, thekson ai.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, Karaçica propozon lista të hapura, ndarje në më shumë zona zgjedhore dhe parimin “një kandidat – një votë”, çka sipas tij do të garantonte mbrojtjen e votës së lirë të sovranit.

Po ashtu, ai propozon që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, e jo përmes votës parlamentare të partive politike.

“Edhe pse kemi sistem parlamentar, do të ishte plotësisht demokratike që qytetarët të zgjedhin drejtpërdrejt të parin e shtetit. Një garë pluraliste me shumë kandidatë do të sillte frymë unifikuese dhe respektim solemn të ligjeve kushtetuese”, përfundon Skënder Karaçica në vlerësimet e tij nga Çikago.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme