Lajme

Veprimtari nga diaspora paralajmëron: Lajçaku dhe dialogu në krizë – çfarë po fshihet pas skenës?

 
   

Ditët e fundit një nga temat më të folura është përfshirja e Lajçak në dosjen Epstein.

Mirëpo përfshirja e Lajçak në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ka ndërmjetësuar për pesë vjet.

Kështu vlerësojnë zyrtarët evropianë, duke insistuar se lidhjet e Lajcakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.

Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj.

Ai vlerëson se dialogu Kosovë–Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka dështuar për shkak të mungesës së zbatimit të marrëveshjeve dhe paaftësisë së BE-së për ta detyruar Serbinë.

 Image
 Saim Tahiraj 
 

Tahiraj kritikon ashpër edhe mungesën e neutralitetit të BE-së, duke theksuar se emërimi i ndërmjetësuesve nga vende mosnjohëse ka favorizuar Serbinë.

Procesi i dialogut Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka shfaqur që në fillim huqet dhe gabimet e veta serioze. Vetë stagnimi i zbatimit të marrëveshjeve është treguesi më i qartë i dështimit të këtij procesi. Mosfuqia detyruese e BE-së për t’i obliguar palët në zbatim, e sidomos Serbinë arogante dhe agresore, dëshmon paaftësinë e dialogut për të prodhuar rezultate reale dhe të qëndrueshme.

Një nga gabimet më flagrante të BE-së ishte caktimi i dy ndërmjetësuesve që vijnë nga shtete mosnjohëse të Republikës së Kosovës: Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Gjatë gjithë procesit të bisedimeve, u vërejt haptazi mungesa e neutralitetit që BE-ja e proklamonte vazhdimisht, ndërsa në praktikë u shfaq njëanshmëri e qartë në favor të Serbisë”, u shpreh ai.

Tutje, veprimtari thekson se standardet e dyfishta të BE-së, ku Kosova u sanksionua e Serbia u favorizua, e kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e dialogut.

Ai shton se përfshirja e Miroslav Lajçakut në afera komprometuese e bën edhe më të qartë se procesi ka qenë i komprometuar dhe i destinuar për dështim.

Në disa raste, veprimet dhe deklarimet e ndërmjetësuesve krijuan përshtypjen absurde se Kosova paraqitej si agresore, ndërsa Serbia – agresore dhe kriminale – trajtohej si viktimë. Kosova u ndëshkua me sanksione, ndërsa Serbia u shpërblye, sikur sjellja e saj destruktive të ishte meritë. Ky standard i dyfishtë e ka minuar rëndë besueshmërinë e dialogut.

Tani, me daljen në dritë të fakteve të reja që lidhin Miroslav Lajçakun me dosje komprometuese, si ajo e Epstein-it, bëhet edhe më e qartë se sa jo serioz ka qenë ky ndërmjetës dhe, rrjedhimisht, i gjithë procesi që ai ka drejtuar. Pavarësisht deklaratave të BE-së se kjo nuk e komprometon dialogun Kosovë–Serbi, realiteti tregon të kundërtën: procesi është thellësisht i komprometuar dhe pikërisht për këtë arsye ka ngecur dhe ka dështuar”, shpjegon ai.

Tahiraj i kërkon që BE-ja të tregojë seriozitet dhe kujdes maksimal në përzgjedhjen e emisarëve, pasi figurat e komprometuara e dëmtojnë rëndë besueshmërinë e dialogut dhe e penalizojnë Kosovën.

Ai vlerëson se BE-ja ka dështuar si ndërmjetësuese dhe se SHBA-ja duhet të marrë rolin udhëheqës për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Bashkimi Evropian, kur cakton emisarë për procese kaq të ndjeshme si dialogu Kosovë–Serbi, duhet të tregojë kujdes maksimal dhe të bëjë verifikime serioze të figurave që ngarkon me këto detyra. Persona që rezultojnë të përfshirë në dosje komprometuese, siq është dosja Epstein, ku përfshihet Lajçak, e dëmtojnë rëndë procesin, e bëjnë atë të pabesueshëm dhe e zhvlerësojnë ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Kjo qasje e BE-së nuk është serioze dhe e ka dëmtuar rëndë procesin e dialogut, ku faturën më të shtrenjtë po e paguan njëanshëm Kosova. Me njëanshmëri të tillë dhe pa mekanizma detyrues për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, BE-ja ka dëshmuar se është e paaftë të ndërmjetësojë me sukses këtë proces.

Deri më tani, i vetmi shtet që ka treguar se mund t’i çojë përpara me sukses proceset e bisedimeve është SHBA-ja, prandaj ajo duhet të marrë rolin udhëheqës në dialogun Kosovë–Serbi, nëse synohet një zgjidhje e drejtë, e qëndrueshme dhe reale”, përfundoi veprimtari Tahiraj për “Bota sot”.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme