Lajme

Veprimtari nga SHBA: Grenell krijoi “çerdhe qyqesh” me ndihmën e vetë shqiptarëve

Analisti Ramazan Bekteshi vlerëson se reagimet e shumta pas shkarkimit të ish-diplomatit amerikan Richard Grenell tregojnë ndikimin që ai ka pasur në hapësirën politike shqiptare, pavarësisht rolit të kufizuar në politikën globale.

“Shkarkimi i Grenell-it nga posti i fundit, të cilin e mbajti për rreth një vit, u përjetua nga shqiptarët si një lloj rehatie relative, pasi gjatë asaj kohe ai nuk kishte fuqi të madhe politike,” tha Bekteshi.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe Grenell kërkonte herë pas here lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ndërsa njëkohësisht vazhdonte lobimin në favor të Serbisë.

Image
Ramazan Bekteshi

Bekteshi shton se e ardhmja politike e Grenell-it mbetet e paqartë dhe nuk duhet përjashtuar rikthimi i tij në skenën politike amerikane.

“Nuk dihet ende nëse ai e ka përfunduar misionin e tij politik, pasi dinamika elektorale në SHBA dhe rëndësia e çdo vote mund ta mbajnë atë aktiv në politikë,” u shpreh ai.

Analisti thekson se përgjegjësia kryesore për ndikimin e Grenell-it bie edhe mbi vetë shqiptarët.

“Shqiptarët duhet të kenë frikë nga vetë shqiptarët, sepse me ndihmën e tyre ai ndërtoi ‘çerdhe qyqesh’ në çdo cep të hapësirës shqiptare,” deklaroi Bekteshi.

Ai përmend se disa aktorë politikë shqiptarë, veçanërisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mbajtën kontakte të shpeshta me Grenell-in dhe, sipas tij, kjo ndikoi në zhvillimet politike gjatë pandemisë.

Bekteshi shton se figura e Grenell-it u fuqizua edhe nga perceptimet e krijuara në opinionin publik.

“Paradoksalisht, shqiptarët vetë e shndërruan në një figurë shumë më të fuqishme sesa ishte realisht, duke i dhënë epitetet e pamerituara një politikani që ai e konsideron lobist pro-serb,” tha ai.

Sipas Bekteshit, sa më kritike ishin qëndrimet e Grenell-it ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, aq më shumë disa aktorë shqiptarë përpiqeshin të afroheshin me të.

Ai përmend gjithashtu pritjet zyrtare dhe jozyrtare që Grenell mori në Shqipëri dhe në rajon, si dhe marrëdhëniet e tij me liderë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Ali Ahmeti.

Bekteshi kritikon edhe rolin e mediave, duke thënë se ato kontribuan në rritjen e profilit të tij publik.

“Një pjesë e mediave shqiptare i kushtuan Grenell-it vëmendje dhe elozhe të tepruara, duke ndikuar në krijimin e një imazhi të fuqishëm për të,” u shpreh ai.

Në fund, Bekteshi ngre një dilemë më të gjerë për shoqërinë shqiptare.

“Pyetja që mbetet është pse disa shqiptarë admirojnë pikërisht ata që i kritikojnë ose mbajnë qëndrime të hapura pro-Serbisë. Kjo nuk është më vetëm çështje politike, por edhe një reflektim mbi psikologjinë kolektive,” përfundoi ai.

Të Ngjashme