Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vërshimet në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme del me raport

 
   

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton se sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësive operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.

Sipas MPB-së, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.

MPB bën të ditur se në Prishtinë dhe rrethinë, vërshimet janë lokalizuar në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore, kurse situata mbetet e menaxhueshme.

“Prizren: Gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike; Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar disa familje përkohësisht si masë sigurie; Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; në komunat tjera gjendja stabile; Gjakovë & Gjilan: Situatë e qetë dhe nën kontroll; rënie e nivelit të ujit në lumenj”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në gjithë vendin janë të mobilizuar për ndihmë qytetarëve.

“Sistemi i Komunikimit Emergjent 112 me Qendren Operative të Agjencise është në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm të situatës 24/7”, njofton MPB.

Ndërkaq, theksohet se reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona.

“Disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në situatë”, njofton MPB.

Sipas Ministrisë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent përveç reagimit me forca operative në mbarë vendin, ka mbështetur KEK-un dhe KOSTT-in me pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat janë ende në funksion sipas nevojës

“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë për reagim dhe koordinim, ndërsa situata vazhdon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme 24/7 nga sistemi i komunikimit emergjent 112”, thuhet në njoftim.