Në Komunën e Gjilanit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni është shumë pranë të sigurojë mandatin për kryetar komune pa balotazh sipas rezultateve të deritanishme ku kryeson me 49.82% të votave.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që përfshijnë rezultatet nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) si dhe rezultatet e deritanishme nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përfshirë këtu votat me postë të numëruara deri tani, Hyseni kryeson bindshëm me 22,140 vota, shumë pranë pragut të 50% + 1 votë, që do ta siguronte fitoren pa hyrë në raundin e dytë.
Në vendin e dytë është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismajli, me 34.30% apo 15,245 vota.
Megjithatë, fati përfundimtar i zgjedhjeve në Gjilan ende nuk është vulosur.
Pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat mund të kenë ndikim në përqindjen e votave dhe të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh.
Duke qenë se diferenca për të arritur 50% është shumë e vogël, mbetet të shihet nëse Hyseni do të arrijë të kalojë këtë prag me votat e mbetura, apo Gjilani do të shkojë në raund të dytë të zgjedhjeve.
Ndryshe sipas KQZ-së, Kuvendi Komunal i Gjilanit në bazë të numrit të popullsisë do të ketë 35 asambleistë.

