
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook janë publikuar pamje të pjesëmarrësve në këtë nisje të fushatës.
“Koha e komunave dembele dhe e komunave të bllokuara nga interesat private ka marrë fund. Ka ardhur momenti që edhe qeverisja lokale të bëhet shembull i punës, drejtësisë dhe zhvillimit. Na presin shumë punë e projekte të mëdha, sepse qeverisjes së mirë qendrore do t’i bashkohet qeverisja e mirë lokale në shumicën dërrmuese të komunave tona”, thuhet në këtë postim.
Postimi i plotë:
Sot, në një atmosferë të jashtëzakonshme në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, hapëm fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, fushatën fituese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me numrin 105.
Nga çdo anë e Kosovës, qytetarë e përfaqësues, kryetarët tanë dhe kandidatët për asamble u bashkuan për të nisur rrugëtimin tonë drejt një fitoreje të re.
Koha e komunave dembele dhe e komunave të bllokuara nga interesat private ka marrë fund. Ka ardhur momenti që edhe qeverisja lokale të bëhet shembull i punës, drejtësisë dhe zhvillimit. Na presin shumë punë e projekte të mëdha, sepse qeverisjes së mirë qendrore do t’i bashkohet qeverisja e mirë lokale në shumicën dërrmuese të komunave tona.
Lëvizja jonë, që sivjet ka mbushur 20 vjet, ka dëshmuar se ndryshimi nuk mund të ndalet. Me energjinë e aktivistëve, besimin e qytetarëve dhe përkushtimin e kandidatëve tanë, po e shtrijmë këtë vizion edhe në nivel lokal.
Komunat tona meritojnë të jenë vend i modernizimit, i projekteve konkrete, i mirëqenies dhe i transparencës. Me vendosmëri dhe Bashkë, ne po hyjmë në këtë garë për ta fituar. Sepse e ardhmja janë kryetarët me numrin 105. Sepse e ardhmja e komunave tona është VETËVENDOSJE!