Aktuale

Vetting: Parkun ‘fantazmë’ Durana Tech, “kullota” e Elira Kokokës që përpiu miliona euro! Si u favorizuan firmat e skandalit të AKSHIT, nga Ergys Agasi te Ermal Beqiri, Andis Papa dhe Gezim Hoxha

EMISIONI VETTING

Në shtator 2025, Drejtoria Rajonale e Sistemit të Shpërndarjes Tiranë do të hapte tenderin për furnizimin me energji elektrike për parkun e parë teknologjik në Shqipëri “Durana Tech Park”.

Në tetor të po atij viti do të shpallej edhe fituesi, për t’i siguruar energji elektrike rezidentëve dhe punonjësve të parkut, i cili është në pronësi të Koorporatës Shqiptare të Investimeve, shoqëri publike që drejtohet nga Elira Kokona.

Problemi me tenderin lidhet me faktin se parku teknologjik fizik nuk ekziston, nuk është vendosur qoftë edhe një tullë, ndërkohë që OSSH-ja, që drejtohet nga Blendian Dalipi tenderon fonde për një park fantazëm.

Dokumentet e siguruara nga “Vetting” tregojnë se tenderi për parkun që ekziston vetëm në letra është eksperimenti i parë në botë, ku Shqipëria ka krIjuar një park teknologjik virtual me zero taksa dhe përjashtime doganore.

Ky park po shërben si amnisti fiskale për persona të lidhur me segmente të korruptuara të qeverisë shqiptare që janë në kërkim nga SPAK. Këta persona janë pjesë e dosjes së SPAK-ut për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilët akuzohen për paracaktim tenderash dhe faktura fiktive.

Durana Tech Park, amnisti fiskale për grupin e AKSHI-t

Një muaj pas themelimit dhe regjistrimit të parkut, më 18 mars 2025, ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja firmosi marrëveshjen me Korporatën e Investimeve Shqiptare për “inaugurimin” virtual të “Durana”-s.

Durana Tech Park është një zonë e përcaktuar me tokë shtetërore në qarkun e Durrësit, që i është dhënë për zhvillim Korporatës Shqiptare të Investimeve për të ndërtuar dhe administruar një park teknologjik. Në park parashikohet të ketë zyra, godina dhe kompani që ushtrojnë aktivitetin brenda atij territori, duke patur lehtësira fiskale.

Sipas VKM-së me numër 73, e datës 29 janar 2025 shkruhet se këto lehtësira fiskale për zhvilluesin, i cili në këtë rast është Korporata dhe për përdoruesit do të fillojnë të aplikohen nga data e fillimit të veprimtarisë ekonomike në park, qoftë kjo në fazën virtuale apo atë të operimit hibrid.

Vendimi shpreh qartë se faza e parë, ajo virtuale do të nisi brenda tre muajve nga firmosja e marrëveshjes, ndërsa thirrja e parë për përdorues do të ishte nga data e fillimit të fazës së parë të zhvillimit apo të operimit të këtij parku.

Përsa i përket fazës hibride (virtuale dhe fizike), data e fillimit do të duhej të ishte jo më vonë se tre muaj nga marrja e lejes së përdorimit të infrastrukturës. Ligji e trajton “Durana Tech Park” si territor fizik dhe jo si platformë online. Megjithatë Koorporata Shqiptare e Investimeve që drejtohet nga Elira Kokona, ka shpërndarë një video në fillim të janarit 2026 për të sqaruar mënyrën se si funksionon parku.

Sipas administratores së “Durana Tech Park”, Florensa Kovaçi (Haxhi), parku po funksionon vetëm virtualisht. Madje në deklaratën e mëparshme, administratorja Kovaçi ka deklaruar se kompanitë janë regjistruar në regjimin special tatimor, duke u përjashtuar nga taksat. Këto kompani janë aktive dhe sipas ligjit nr. 58/2022 përfitojnë lehtësira fiskale dhe përjashtime doganore.

Deklarata sqaruese nga Koorporata Shqiptare e Investimeve erdhi pasi shpërtheu skandali në media se në park ishin regjistruar me kompani persona me dosje në SPAK dhe të afërm të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare. Madje regjistrimi ishte bërë në një kohë që parku nuk ishte ndërtuar, por faktikisht parku teknologjik sipas Koorporatës dhe sipas ligjit funksionon në mënyrë virtuale.

Skandali lidhej me listën e personave që janë përjashtuar nga taksat dhe që operojnë aktualisht në parkun virtual. Sipas ekspertit IT-së Besmir Semanaj, nisja e projektit në mënyrë virtuale është e gabuar sepse nuk kemi inovacion.

“Thjesht fatkeqësisht, buxheti shqiptar do humbë goxha nga fitimet e këtyre kompanive, të cilat kanë dhjetëra vite në treg dhe tani janë kompani, të konsoliduara. Pra, nuk kemi të bëjmë me start-up, të cilat kanë nevojë për mbështetje nga institucionet shtetërore dhe kanë nevojë për lehtësime fiskale”, tha për “Vetting” eksperti Semanaj.

“Vetting” i bëri një kërkesë zyrtare Koorporatës Shqiptare të Investimeve për listën e bizneseve që janë regjistruar në parkun teknologjik.

Në kthim-përgjigje institucioni deklaroi se bizneset që operojnë në park mund të gjenden me adresën e Durana Tech Park në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në listën e bizneseve gjendet Ergys Agasi, rezident në Durana Tech Park me kompaninë “Test & Tech”, nën akuzë nga SPAK për rrëmbim personi, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës dhe pastrim parash si grup kriminal për tenderat e AKSHI-t, në kërkim nga drejtësia.

Ermal Beqiri, rezident në Durana Tech Park me kompaninë “Datastorm”, nën akuzë nga SPAK për dhe në kërkim nga drejtësia.

Gëzim Hoxha, rezident në Durana Tech Park me kompanitë “Box Artificial Logic “ dhe “CyberMind Labs”, nën akuzë nga SPAK për tenderat e AKSHI-t dhe vëllai i ambasadorit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Ferit Hoxha.

Andis Papa rezident në Durana Tech Park me kompaninë “Quantech”, nën akuzë nga SPAK për fatura fiktive në çështjen e AKSHI-t.

Të 4 këta individë janë në të njëjtën çështje për aferën me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj është nën arrest shtëpie për paracaktim tenderash si grup i organizuar.

Sipas ekspertit të ekonomisë Enriko Ceko, në këto projekte më shumë fokusi vendoset te fasada.

“Ajo çka vihet re në përgjithësi në projekte të kësaj natyre, është që nxitohet që të bëhet një propogandë e madhe në media, në lidhje me imazhin e asajt gjësë që do të bëhet, në mënyrë që të justifkohet edhe veprimi, edhe të justifikohen edhe pretendimet, përfitimi që do të vijnë nga realizimi i projektit”, tha për “Vetting” eksperti Ceko.

Të Ngjashme