Protesta e kësaj të premteje, e thirrur nga opozita nën drejtimin e Sali Berisha, është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Tubimi, i cili nisi si një manifestim politik kundër qeverisë, në disa momente degradoi në situata të pakontrolluara, duke rritur ndjeshëm nivelin e përplasjes në terren.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, turma e protestuesve u përball me kordonin policor, ndërsa pati hedhje sendesh dhe përdorim të gazit lotsjellës nga ana e forcave të policisë për të shpërndarë turmën. Situata u tensionua veçanërisht në momentet kur disa protestues tentuan të çanin perimetrin e sigurisë, çka solli reagim të menjëhershëm nga efektivët.
Pamje të rënda janë publikuar së fundmi në rrjetet sociale, ku shihet momenti dramatik kur një prej protestuesve goditet në kokë nga një bombol gazi lotsjellës.
Në video duket qartë se i riu rrëzohet menjëherë në tokë, ndërsa personat pranë tij reagojnë me panik. Sipas dëshmitarëve, ai ka humbur ndjenjat për disa minuta, duke shkaktuar shqetësim të madh tek të pranishmit.
Protestuesit që ndodheshin pranë tij kanë nxituar për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa disa prej tyre kanë bërë thirrje për ndërhyrjen e shpejtë të autoambulancës.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me gjendjen shëndetësore të të riut, ndërsa nuk dihet nëse ai është transportuar në spital për trajtim të specializuar.
