Kontrabandonte flori dhe mallra të tjera, arrestohet në Kamëz 26-vjeçari i dyshuar dhe në kërkim u shpallën dy shokët e tij.
Policia e Tiranës bëri sot (14 mars) me dije se ka prangosur të riun me inicialet E. K., ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit F. K. dhe M. G. Mallrat ishin futur nga jashtë Shqipërisë dhe do shiteshin brenda vendit.
Ai u kap në flagrancë në afërsi të Kamzës, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara, ndërsa u sekuestruan rreth 524 gramë flori, veshje të ndryshme, një shumë parash, 2 makina qepëse, si dhe sende të tjera të dyshuara të kontrabanduara. Aksioni u kodua “Diversity”.
“Gjatë kontrollit të automjetit, iu gjetën të fshehura në baterinë e automjetit 524 gramë flori. Gjithashtu, në automjet u gjetën veshje të ndryshme, paketa cigaresh, dy makina qepëse, si dhe sende e pajisje të tjera. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 26 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit F. K. dhe M. G. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi E. K., në bashkëpunim me shtetasit F. K. dhe M. G., kanë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e sipërpërmendura në mënyrë të kundërligjshme”, thanë burime zyrtare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



