Temperaturat e ulëta kanë sjellë reshje dëbore në disa zona të qarkut të Kukësit, kryesisht në segmentet e larta malore, ku është shfaqur edhe mjegull e dendur.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës (1 prill), reshjet e dëborës janë regjistruar në aksin Kukës–Shishtavec, ku kompania kontraktore ka ndërhyrë menjëherë me mjete borëpastruese dhe punëtorë për të mbajtur të kalueshëm segmentin rrugor.
Ndërhyrjet janë përqendruar veçanërisht në pjesën nga Ura e Shtrezës deri në doganën e Shishtavecit, ku ka edhe prani të dëborës dhe mjegullës së dendur. Sipas të dhënave nga terreni, intensiteti i reshjeve të dëborës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit është në rënie.
I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu në zonat e ulëta dhe reshje dëbore në zonat e larta malore. Kushtet atmosferike janë shoqëruar edhe me erëra të forta.
