Një pjesë e rrugës “Malush Kosova” në kryeqytet është shembur, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin për banorët e zonës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e sakta që kanë çuar në shembjen e rrugës.
Lidhur me situatën ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, e cila ka bërë të ditur se si pasojë e rrëshqitjes së dheut është dëmtuar edhe rrjeti i ujësjellësit.
Si rrjedhojë, furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht në disa rrugë, deri në sanimin e gypit.
Sipas njoftimit, zonat e prekura janë: “Mehmet Shpendi”, “Bislim Islami”, “Don Stjefan Kurti”, “Kiri”, “Agim Prodani”, “Ymer Bytyqi” dhe “Visar Thaqi”.
Nga kjo kompani u është bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim deri në rikthimin e gjendjes në normalitet.
