Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vietnami heq dorë nga politika e kufizimit prej dy fëmijësh

Vietnami ka hequr dorë nga politika kufizuese e dy fëmijëve, në përpjekje për të përballuar sfidat që lidhen me rënien e normës së lindshmërisë dhe ndryshimet demografike në vend.

Sipas gazetës Hanoi Times, Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Kombëtare miratoi të martën ndryshimet në ligjin për popullsinë, duke shënuar një reformë të rëndësishme në politikën e planifikimit familjar të vendit.

Ministrja e Shëndetësisë, Dao Hong Lan, deklaroi: “Ligji i përditësuar i jep çifteve të drejtën për të vendosur lirshëm mbi kohën, numrin dhe distancën midis lindjeve të fëmijëve, duke marrë parasysh faktorë si mosha, shëndeti, arsimi, puna, të ardhurat dhe aftësitë për rritjen e fëmijëve – të gjitha këto mbi bazën e barazisë.”

Kjo reformë synon të adresojë pabarazitë e lindshmërisë mes rajoneve dhe grupeve të ndryshme shoqërore, si dhe të frenojë rënien e normës së lindjeve nën nivelin e zëvendësimit – një prirje që kërcënon zhvillimin ekonomik e social të Vietnamit, si edhe sigurinë dhe stabilitetin e tij afatgjatë, tha ministrja.

Me një popullsi prej pak më shumë se 100 milionë banorësh, Vietnami më parë kishte kufizuar çiftet të lindnin vetëm një ose dy fëmijë.

Ndryshimet ligjore u miratuan gjatë sesionit të 46-të të Komitetit të Përhershëm, që u zhvillua të martën, raportoi Anadoly. Ato prekin Nenin 10 të Ordinancës së Popullsisë, e cila ishte miratuar fillimisht në vitin 2003 dhe u rishikua në vitin 2008.

Shkalla e fertilitetit në vend ka pësuar një rënie të ndjeshme, nga 1.96 lindje për grua në vitin 2023, në 1.91 në vitin 2024 – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në historinë e Vietnamit.