Aktuale

Vigjilja e Pashkëve Ortodokse/ Mbahet Procesioni i Epitafit, ceremoni në disa qytete

Në vigjilje të Pashkës, mijëra besimtarë ortodoksë në të gjithë vendin u mblodhën për të shënuar daljen e Epitafit, ceremoninë më kulmore të së Premtes së Madhe, e cila simbolizon vuajtjet, kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit

Në katedralen “Ngjalla e Krishtit” në Tiranë u mbajt shërbesa e Vajtimeve e cila i paraprinë daljes së Epitafit, kjo shërbesë u drejtua nga kryepeshkopi Jona.Më pas besimtarët dhe priftërinjtë nën tingujt e kambanave të zisë kanë shoqëruar procesionin e daljes së Epitafit në rrugët e kryeqytetit përreth katedrales.

Me qirinj të ndezur në duar, besimtarët kanë marshuar pas klerikëve që mbanin mbi supe Epitafin, duke krijuar një lumë drite në errësirën e natës.

Edhe besimtarët ortodoksë të Korçës kanë kremtuar të Premten e Zezë, ditën që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishtit.

Në një atmosferë plot solemnitet, ritualit të kalimit nën Epitaf iu bashkua një numër i madh qytetarësh, të mbledhur për të përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të besimit ortodoks.

Në sheshin para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u bashkuan epitafet e të gjitha kishave të qytetit të Korçës.

Më pas, të shoqëruara nga besimtarë të shumtë dhe nën tingujt e marsheve funebre, epitafi përshkoi bulevardet kryesore të Korçës.

Edhe në Fier, qindra besimtarë ortodoksë ndoqën procesionin e epitafit.

Ceremonisë i kanë paraprirë tingujt e Bandës Frymore, ndërkohë që epitafi ka dalë nga katedralja e Shën Gjergjit, duke përshkuar qendrën e qytetit të Fierit.

Dalaja e Epitafit është kremtuar edhe në qytetin e Elbasanit, duke mbledhur qindra besimtarë në një ceremoni të organizuar nga Kisha Ortodokse në qendër të qytetit.

E Premtja e zezë paraprin festën e madhe të Pashkës. Ndërkohë që mesnatën e së shtunës, besimtarët do të mblidhen sërish për të pritur dritën e shenjtë dhe për të shpallur lajmin e madh të Ringjalljes së Krishtit.

Të Ngjashme