Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës u përshkua me debat të ashpër midis opozitës dhe pushtetit.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka reaguar ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Bajrami në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës tha se Kusari-Lila në diskutimit të saj ka rënë në kundërshtim me veten.
Bajrami iu drejtua Kusari- Lilës se ajo se çka tha në diskutimin e saj, po konfirmon që nuk ka caktuar marzha dhe sipas saj manipulimi po vazhdon.
Bajrami: Ministre prej fjalisë së parë në kundërshtim me veten
“Ministre prej fjalisë së parë re në kundërshtim me veten. Ju e keni caktuar marzhën e nderuar, e ke caktuar 2 centë për shitje me pakicë dhe 12 centë për shitje me shumicë. Si ke mundësi me dalë në foltore edhe me thënë që nuk mund e kontrolloj nëse e heqi TVSH-në ose e uli akcizën? Ju i caktoni marzhat. Qysh ka mundësi që në qoftë se në litër të naftës sot e pranon masën që me heq 20 centë akcizë ose 16 centë qysh e kemi propozuar dhe me ul TVSH-në prej 18 në 8 për qind t’i nuk ke mundësi, po kjo po shkojka në fitim të tregtarëve dhe të importuesve. A je tu e caktuar marzhën? Në momentin kur dikush vjen edhe thotë ky është çmimi i furnizimit, ti ke me llogarit akcizën, TVSH-në, e ke marzhën me shumicë, me pakicë, 2 centë, 12 centë. Qysh ka mundësi mandej me u keqpërdor kjo prej tregtarëve? Ajo që je t’u thënë, je tu e konfirmuar që faktikisht as sot nuk je t’u caktuar marzha dhe manipulimi po vazhdon. Edhe je t’u e konfirmuar që atë ligjin që e ke aprovuar sot nuk ka me të funksionuar. A e di pse? Sepse s’ke mekanizëm”, tha Bajrami.
Tutje, Bajrami iu drejtua edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të cilin tha se vetë ai ka caktuar çmimet e barnave dhe se ato nuk janë ulur.
Bajrami: Arben Vitia i ka caktuar çmimet, nuk janë ulur çmimet
“Gjykata Kushtetuese ka thënë se shteti ka të drejtë të ndërhyrjes, por jo qeveria. Ju në ligj keni thënë se kryeministri ka me i caktuar çmimet edhe ministri. A e dini çka po ndodh në një sektor tjetër ku Arben Vitia i ka caktuar çmimet, a keni kuptuar ndonjë qytetar duke thënë se është ulur çmimi i barnave, jo nuk janë ulur, vetëm janë bërë do milionerë aty në ministri me gjet lidhjen me ardhë me ia bë çmimin atyre çfarë kanë qejf. Këta e ka kundërshtuar Gjykata Kushtetuese”, tha Bajrami.
Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila i replikoi Bajramit se me ngritjen e zërit nuk fiton politikisht, andaj edhe janë pesë deputetë më pak nga LDK-ja.
Kusari- Lila: Zonja Bajrami përvoja e legjislaturës të kaluar të ka treguar se duke e ngritur zërin nuk fiton politikisht
“Zonja Bajrami përvoja e legjislaturës të kaluar të ka treguar se duke e ngritur zërin e ul argumentin nuk fiton politikisht, pesë deputetë më pak i keni prej zgjedhjeve të 28 nëntorit. Unë po flas për qasje, nëse do dikush me argumentuar me atë qasje konfrontuese të ka treguar që nuk rezulton politikisht pozitivisht. Bashkë me ulje të akcizës edhe TVSH-së e ke synimin me ulë edhe numrin e deputetëve të LDK-së”, replikoi ajo.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i tha Bajramit se “milionerët” që ajo përmend janë bërë në kohën e LDK-së.
Vitia: Shumica e këtyre milionerëve, e këtyre kompanive janë bërë në kohën e LDK-së
“Ato që i tha deputetja Bajrami janë komplet të pavërteta. E para, shumica e barnave me këtë çmim, me këtë ligj, kanë pësuar ulje në çmim. E dyta, ky është një ligj që asnjë nga qeveritë e tjera nuk ka pasur guximin për ta bërë, dhe vetëm kjo qeveri ka pasur guximin për ta bërë. Kurse sa i përket milionerëve, deputetja Bajrami i ka përmendur disa herë pa asnjë arsye apo ndoshta ka edhe ndonjë arsye, sepse shumica e këtyre milionerëve, e këtyre kompanive janë bërë në kohën e LDK-së dhe janë përkrahës të LDK-së, zonja Bajrami. Kështu që është shumë e rëndësishme si po i lidhni këta milionerë direkt apo indirekt. Besoj që kishte dashur me dhënë edhe një sqarim kur flet për këta milionerë sepse asnjë nga këta milionerë, siç thuash ti, kompani farmaceutike, shiheni se kur janë krijuar këto kompani. ju kisha lutur për korrektësi, së paku në atë që ju propagandon se sa korrektë jeni, sepse me këtë tregoni që absolutisht nuk ka tro korrektësie në deklarimet tuaja, zonja Bajrami“, tha Vitia.
