Lajme

Vizita e Marta Kos shtyhet, analistët paralajmërojnë pasoja për Kosovën!

Vizita e planifikuar në Kosovë e Komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos është shtyrë për një datë tjetër. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të Komisionit Evropian, të cilët kanë bërë të ditur se arsye për këtë vendim janë zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Sipas burimeve nga Komisioni Evropian, situata aktuale politike dhe tensionet institucionale në vend kanë ndikuar në vendimin për ta shtyrë vizitën e komisioneres. Megjithatë, nuk është bërë e ditur ende se kur mund të realizohet kjo vizitë.

“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.

Vizita e Kos pritej të zhvillohej në kuadër të angazhimeve të Bashkimit Evropian me Kosovën, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit evropian dhe reformave që lidhen me këtë proces. Ajo pritej të zhvillonte takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe aktorë të tjerë politikë në vend.

Makolli: Kriza institucionale në Kosovë po zgjatë nga shkurti i vitit 2025…

Analisti politik, Vesel Makolli në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se krijimi i krizave politike në një kohë tensionesh gjeopolitike është i rrezikshëm për Kosovën.

Sipas tij, për shkak të krizës institucionale që nga shkurti 2025, edhe Marta Kos ka anuluar vizitën në Kosovë, e cila pritej të ndodhte pas formimit të institucioneve dhe të lidhej me heqjen e masave ndaj vendit.

“Në kohën e ndryshimeve të mëdha radikale të gjeopolitikës dhe rirreshtimeve të fuqive të mëdha botërore, zhvillime që mund të ndikojnë në destabilizimin e paqes në regjionin e Ballkanit dhe jo vetëm, gjegjësisht në raportet e Kosovës me Serbinë, të krijosh kriza politike, duke e lënë vendin pa institucione legjitime, është një nonsens i cili rrezikon shtetësinë e Kosovës.

Në kontekst të kësaj, Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Kriza institucionale në Kosovë po zgjatë nga shkurti i vitit 2025, prandaj nga të gjitha vendet që është dashur t’i vizitojë Marta Kos, Kosova është i vetmi vend që ajo ende nuk e ka vizituar ndonëse mban postin evropian nga dhjetori i vitit 2024.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ajo paralajmëroi një vizitë në Kosovë sapo të formoheshin institucionet në vend.

Ishte menduar që kjo vizitë gjithashtu të përkonte me lajmin për heqjen e masave ndaj Kosovës” – u shpreh ai.

Makolli kritikon veprimet politike pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Sipas tij, moskoordinimi me SHBA dhe aleatët, si dhe interesat partiake, po dëmtojnë interesat shtetërore dhe rrezikojnë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

“Kakofonia e faktorit politik kosovar, mos-koordinimi me SHBA-në dhe aleatët, si dhe interesat personale, klanore dhe partiake para atyre shtetërore, e ngushtojnë hapësirën për veprim të aleatëve tanë dhe i hapin rrugë apo më mirë të themi, hapin shteg për veprim të armiqve tanë shekullorë kundër shtetit të Kosovës”, deklaron ai.

Maraj: Kosova po dëmton imazhin e vet

Analisti Milazim Maraj, thekson se zhvillimet e fundit politike në Kosovë tregojnë mungesë përgjegjësie dhe bashkëpunimi mes partive.

Sipas tij, politika shpesh udhëhiqet nga emocione dhe jo nga arsyeja, gjë që dëmton imazhin e shtetit dhe marrëdhëniet me aleatët si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai kritikon përsëritjen e krizave zgjedhore, mosmarrëveshjet për zgjedhjen e presidentit dhe mungesën e besimit mes partive shqiptare, duke paralajmëruar se pa unitet të brendshëm Kosova vështirë se mund të sigurojë stabilitet dhe mbështetje ndërkombëtare.

“Zhvillimet e fundit në Kosovë treguan se nuk kanë marrë mësim nga përsëritja e zgjedhje të kaluara. Duket që këto ndikuan negativisht te LVV. Sjelljet e të zgjedhurve tonë udhëhiqen nga ndjenja dhe jo aspak nga arsye dhe përgjegjësia. Për fat të keq çdo legjislacion i zgjedhur pas lufte u tregua edhe më i dobët, me i paarsyeshëm se i përparshmi. Imazhi i shtetit të Kosovës dhe serioziteti që do të kishte ndikuar në rritje të besimit dhe bashkëpunim më SHBA dhe BE po dëmtohet si më qellim. A duhet të besojmë që subjektet tona politike kanë rënë në ndikimin e shërbimeve të armiqve tonë? Pa besim në mes shqiptarëve nuk pritet të kemi besimin dhe përkrahjen e të tjerëve. Përsëritje të zgjedhjeve, numërim, rinumërim, konstatim të vjedhjeve dhe keqpërdorimeve, tani mospajtime fare të paarsyeshme për zgjedhjen e Presidentit.

Zgjedhja e Presidentit-s nuk na ra në befasi. Konsultimet, dhe pajtimet si dhe krijimi i mirëbesimit dhe bashkëpunimit në mes të partive politike në Kosovë kërkon arsye jo emocione. Kërkon vlerësime dhe jo ofendime të atyre më të cilët duhet të bashkëpunojmë. Kërkon mirëkuptim dhe jo krekosje dhe ngritje të emocioneve për të fajësuar njeri tjetrin. Para se të kërkojmë përkrahje të vazhdueshme nga aleatët tonë ndërkombëtarë duhet të kemi aleancën tonë shtet formuese në vend. Kënd do ta bindim që Kosova krijon stabilitetit politik në rajon kur nuk arrijmë të gjejmë bashkëpunim nëmës veti. Kur destabilizojmë pa arsye vendin tonë? Tani jo vetëm me Listën Serbe që është një instrument i Serbisë dhe punon për destabilizimin e Kosovës por edhe në mes të partive politike shqiptare nuk ka mirëkuptim” – shpejgon ai.

Makolli thotë se edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar besimin në zgjedhje dhe i takojnë postet e kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit, fyrjet dhe kërcënimet ndaj Presidentes nuk e zgjidhin krizën politike.

Ai thekson se shtyrja e vizitës së Marta Kos, komisionere për zgjerim e Bashkimi Evropian, tregon pakënaqësinë e BE-së me situatën politike në Kosovë.

“LVV ka marrë besimin në zgjedhje. Pa u ndal në analiza si dhe pse ky rezultat, kjo parti ka postin e Kryeministrit dhe Kryetarit-s së Parlamentit. Tani fyerjet, ofendimet, sharjet kërcënimet për Presidentet e Kosovës nuk zgjedhin ngërçin e rikrijuar.

Tani Komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian Marta Kos ka shtyrë vizitën e saj në Kosovë. Kjo po ashtu do të ketë thënë kur të i zgjidhni mosmarrëveshjet tuaja do të bisedojmë për marrëveshje më BE. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian. Kjo shtyrje është bërë për arsye të situatës politike në Kosovë. Do të thotë dështimit të zgjedhjes së Presidentit-ës së Kosovës. A mendon dikush sa i kushton kjo Kosovës në marrëdhëniet me BE dhe Botën demokratike? Apo kënaqen me shfryrje të inateve të tyre ne mes veti; krejt të pa pjekura dhe mjaftë të dëmshme për vendin. Kosova nuk arrti të behët anëtare  KE, kërkon të jetë pjesë e BE dhe e NATO-s ndërsa krijon ngërçe të pa arsyeshme në këtë situatë delikate” – përfundon ai për gazetën.

Të Ngjashme