Takimi ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryediplomatit amerikan, Marco Rubio, në ambientet e Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përfaqëson një moment të rëndësishëm në raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një kohë kur zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë kërkojnë qartësi strategjike dhe partneritete të qëndrueshme, ky takim sinjalizon vazhdimësinë dhe thellimin e aleancës së Kosovës me një nga aleatët e saj më të fuqishëm ndërkombëtarë.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca
Ai takimin Osmani-Rubio e vlerësoi si shumë të rëndësishëm, derisa tha se, ai tregon një hap të madh drejt forcimit të aleancës strategjike të Kosovës me SHBA-në.
“Diplomaci proaktive dhe politike e jashtme e presidencës në nivel të lartë: vetëm presidenca ka arritur të mbulojë këtë fushë me seriozitet dhe profesionalizëm, duke treguar se Kosova është partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore.
Takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Senatorin amerikan Marco Rubio ne Departamentin Amerikan të Shtetit është një moment i rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës. Ai nuk është thjesht një formë protokollare por një hap konkret drejt forcimit të aleancës strategjike me SHBA-në, që mbetet partneri kryesor i Kosovës në sigurimin e stabilitetit, zhvillimit dhe perspektivës euroatlantike”, deklaroi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Krahas kësaj, Voca konsideron se diplomacia e Kosovës është shumë aktive dhe e avancuar në arenën ndërkombëtare.
Për këtë, ai vlerësoi punën e presidentes Osmani, derisa tha se takimet dhe vizitat e saj në SHBA janë mesazhe se Kosova është një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore.
“Gjatë takimit, Osmani ka diskutuar për hapat konkretë që mund të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, duke u fokusuar në çështje jetike për qytetarët e Kosovës. Kjo tregon qartësisht se diplomacia e vendit nuk është vetëm prezencë formale, por një angazhim proaktiv për të avancuar interesat shtetërore dhe për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me partnerët kryesorë.
Paraqitja e Osmanit në Uashington refleton profesionalizëm dhe vizion të qartë shtetëror. Ajo dërgon një mesazh të fortë që Kosova është një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, dhe është gati të ndërmarrë hapa konkretë për të avancuar zhvillimin, integrimin dhe sigurinë e saj. Ky nivel angazhimi përforcon kredibilitetin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”.
Ndër të tjera, ai shtoi se, takimet e Osmanit në SHBA mund të reflektojnë në disa fusha të ndryshme, e që mund të sjellin rezultate konkrete për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Në planin afatmesëm, efekti i këtij takimi mund të reflektojë në tre fusha kryesore: në përforcimin politik të pozitës së Kosovës në rajon dhe në botë, në mbështetjen e projekteve konkrete dhe iniciativave strategjike, si dhe në rritjen e imazhit ndërkombëtar si një shtet funksional dhe partner i respektuar. Ky takim është një shembull i qartë se diplomacia aktive dhe e menaxhuar mirë sjell rezultate konkrete për vendin dhe qytetarët e tij”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
