Familja e veprimtarit Haki Imeri ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, që të akuzuarit në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, të dënohen me burgim prej 45 vjetësh për secilin – 180 vjet në total.
Familja Imeri në shkrimin e saj në Facebook, mirëpriti këtë kërkesë, derisa tha se në Speciale nuk “vlejnë demagogjitë zhurmuese, por dokumentet me vulë”.
Po ashtu, shkroi ndër të tjera se, “dënimi 180 nuk është fundi i botës”, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Miq,
180 vjet kërkon Prokuroria dënim për Thaçin dhe të tjerët?
Propaganda, fushata, linçuesit nuk kanë liruar askënd nga kjo gjykatë. Aty nuk vlejnë demagogjitë zhurmuese, por dokumentet me vulë.
Dhe dokumente me vulë e nënshkrime kishte mjaftueshëm për të konstatuar dhe verifikuar autoritetin e kreut të NPK gjatë luftës dhe pas saj.
Tash, të presim verdiktin.
Thaçin e liron vetëm e vërteta: nëse nuk ka qenë shefi i shefave gjatë luftës dhe pas luftës; nëse nuk ka dhënë urdhra për vrasje e tortura ndaj bashkatdhetarëve; nëse nuk ka qenë pjesë e vendimeve që viktimat dhe rivalët politikë i kanë përfunduar tragjikisht.
Ka edhe një kontradiktë interesante: avokatët thonë se ai nuk ka qenë faktor vendimtar në luftë, mbështetësit thonë se ka qenë komandanti kryesor, ndërsa Prokuroria nxjerr dokumente me nënshkrim dhe e quan “shef të shtabit”.
Tani lind pyetja logjike: ishte kryesori apo dytësori, gjarpni? Sepse nuk mund të jesh njëkohësisht “komandant legjendar” në tubime, oda e fshatit, mitingje, dhe “njeri pa rol vendimtar” në sallë gjyqi.
Pra, historia edhe drejtësia kërkojnë konsistencë.
Prandaj, pak durim, ju hibrit medial, sepse dënimi 180 nuk është fundi i botës.
