Lajme

Vjosa Osmani në pikëpyetje, çfarë pritet të ndodhë me koalicionin VV-Guxo – juristi zbërthen skenarët!

Në skenën politike të Kosovë po përflitet se Vjosa Osmani mund të mos rizgjidhet presidente për një mandat të dytë, me mundësinë që partitë të arrijnë konsensus për një figurë nga familja Jashari.

Kjo ngrit pyetje për të ardhmen e Osmanit: a do të rikthehet në Guxo, si do të ndikojë kjo tek marrëdhëniet me Lëvizja Vetëvendosje dhe stabiliteti i koalicionit, dhe cili do të jetë rrugëtimi i saj politik nëse nuk merr mandatin e dytë.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli juristi Blerim Burjani, i cili fillimisht u shpreh se nuk ka shumë reëndësi për LVV se çka ndodhë me Osmanin.

Sipas tij, kryeministri Kurti nuk ka dhënë mjaft poste për një subjekt që sipas tij nuk ekziston, ku e kishte fjalën për “Guxo”.

Në këtë pikë, ai konsideron se do ishte më mirë për Osmanin të kthehej në LDK.

Image
Blerim Burjani

“Mendoj se Kurtit nuk i nevojitet një listë e tillë. Ai nuk ka pasur fare përfitim nga kjo listë; vetëm ia kanë parë hajrin Kurtit. Pra, pak ka rëndësi për VV se çfarë ndodh me Vjosën. Kurti mjaft iu ka dhuruar poste një subjekti që nuk ekziston, dhe për këtë vendos vetëm ai. Vjosa nuk ka ndonjë rëndësi politike për VV, edhe nëse nuk zgjedhet. Madje, do të ishte më mirë që ajo të kthehej në LDK, sesa të përpiqet të mbajë një parti që nuk ka vota pa VV”, shtjelloi juristi.

Krahas kësaj, Burjani e vlerësoi punënë e Osmanit si presidente, por që sipas tij ky mandat ishte një dhuratë nga Kurti për të.

“Megjithatë, pritet të shihet nëse Kurti do ta mbështesë përsëri apo jo. Edhe pse performanca e Vjoses në raport me bashkëqeverisjen nuk ishte e keqe, mandati i saj ishte më shumë një dhuratë. Vetëm nëse Kurti i bën një “dhuratë tjetër për ditëlindje Vjoses” mund të ketë ndonjë ndryshim”.

Ndër të tjera, juristi përsëriti thirrjen për Osmanin, se në rast se nuk zgjedhet president dhe prishte koalicioni LVV-Guxo, atëherë më mirë të kthehet në LDK.

“Mendoj se me kaq mjafton; marrja e këtij posti ishte aksidentale. Megjithatë, më mirë është që ajo të rikthehet në LDK në rast se dështon koalicioni me VV, aty ku edhe e ka vendin. Subjekti “Guxo” nuk ka kurrfarë perspektive për të ardhmen. Kjo listë u bë për të shkatërruar LDK-në dhe për të marrë votat e saj, jo për diçka tjetër”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Të Ngjashme